Sektori i bujqësisë është përgjegjës për rreth 4% të PBB-së së Bullgarisë dhe siguron 6% të punësimit në vend, ka thënë ministri i Bujqësisë dhe ushqimit, Georgi Tahov, në hapjen e edicionit të 10-të të ekspozitave Agra, Vinaria dhe Foodtech të martën në Plovdiv. Në mesin e të ftuarve zyrtarë ishin Kryetari i komunës, Kostadin Dimitrov, Guvernatorja regjionale, Prof. Hristina Jançeva, Mitropoliti Nikolai, dhe Kryetari i Këshillit komunal, Atanas Uzunov.
Tahov vuri në dukje se sipas të dhënave të viteve 2022 dhe 2023, investimet në këtë sektor arrijnë në mbi 2.2 miliardë leva në vit, apo rreth 8% të të gjitha investimeve në ekonominë e vendit. Në vitin 2023, sektori i Bujqësisë kishte një bilanc tregtar pozitiv prej 1.7 miliardë eurosh, që e kalon atë të vitit 2022 me 9%, theksoi ai.
Ai theksoi se edhe pse ky sektor është përballur me vështirësi shumë serioze vitet e fundit, zinxhiri agroushqimor ka ruajtur stabilitetin relativ. "Është e rëndësishme që bujqësia të kthehet në ritmin e saj normal, gjë për të cilën ekipi i Ministrisë së Bujqësisë dhe ushqimit po punon me përkushtim. Me shumë ndryshime legjislative në këtë sektor, ne po mundohemi të krijojmë një mjedis rregullator më të favorshëm ku fermerët do të ndihen më të mbrojtur", theksoi Tahov.
Ai u uroi të pranishmëve në ekspozita krijimin e shumë kontakteve të reja biznesore, dhe theksoi se tri ekspozitat ndërkombëtare në Plovdiv përbëjnë një megaforum për agrobiznesin dhe ushqimin, i cili është i pashembullt në Ballkan.