Arne Slot tha se do të flasë me Darwin Nunezin një ditë më parë dhe thotë se ai nuk mund ta pranojë sjelljen e sulmuesit të Uruguait pasi humbi një rast të madh për të përmbysur rezultatin për Liverpulin në transfertën kundër Aston Vilës të mërkurën mbrëma.
“Reds” patën një shans të artë për të marrë tri pikë në “Villa Park”, por Nunez humbi një gol me portën e boshatisur, ndërsa kryesuesit e Premier Ligës duhej të kënaqeshin vetëm me një barazim. Slot tha në konferencën e djeshme se ai nuk është i zhgënjyer me rastin e humbur nga sulmuesi, por është i zemëruar me mënyrën sesi sjellja e futbollistit në fushë ndryshoi pasi ai humbi rastin.
“Do t’i them se mund ta humbasësh një rast, por nuk mund të humbasësh angazhimin më pas. Kjo është jeta e një sulmuesi, ai do të humbasë shanse dhe do t’i shënojë ato. Është pjesë e punës së një numri 9. Ti i humbet rastet kur njerëzit presin që të shënosh. Por nuk është pjesë e punës së një sulmuesi që të ngadalësojë punën më pas.
Dhe kjo është diçka për të cilën unë do të flas me të. Unë mund të pranoj çdo rast të humbur, veçanërisht nga një lojtar i cili ka shënuar gola të rëndësishëm në tranfertë me Brentfordin dhe ka shënuar në shtëpi për ne kundër Aston Vilës.
Unë do të kisha preferuar që ai të shënonte, por fjala ‘rast’ i thotë të gjitha. Unë mund të pranoj rastin e humbur, por jo sjelljen më pas. U ngarkua shumë në mendjen e tij.
Nuk ishte Darwini i zakonshëm, i cili ndahet në dysh duke punuar dhe sigurohet që të ndihmojë skuadrën. Ai ishte shumë i zhgënjyer për rastin e humbur. Do flas me të për 20 minutat më pas”.
Nunez u kritikua nga tifozët edhe për sjelljen e tij pas ndeshjes, ndërsa iu drejtua tunelit pa shkuar të përshëndesë publikun. Pas konferencës së djeshme të Slotit, sulmuesi postoi në “Twitter”: “Nuk isha më i miri tre javë më parë dhe nuk jam më i keqi tani. Nëse rrëzohem, unë ngrihem. Nuk do të më shihni kurrë të dorëzohem. Unë do të jap gjithçka kam deri në ditën time të fundit këtu në Liverpul”.