Kukësi shpreson që të mos dalë pa gjë ndaj Flamurtarit, edhe pse e ka të qartë që nuk do të jetë një mision i lehtë.
Me ekipe të këtij niveli, verilindorët kanë hasur shumë probleme këtë sezon, pasi janë mundur në të gjitha takimet me 3 kryesuesit e kësaj kategorie.
Por me vlonjatët shpresojnë të bëhet kthesa në këtë aspekt.
Klubi ka vendosur që hyrja për tifozët të jetë e lirë, duke shpresuar te një mbështetje sa më e madhe nga ana e tyre në shkallët e stadiumit. Kukësi ka përpara një detyrë të vështirë, të mos pësojë gol.
Thuhet kështu, sepse verilindorët vijnë pas plot 14 ndeshjesh radhazi që nuk mbajnë dot portën të paprekur.
Për herë të fundit që nuk kanë pësuar gol, ka qenë më 9 nëntor të vitit të kaluar, kur mundën Erzenin në shifrat 1-0.
Pas asaj ndeshje, Kukësi ka pësuar vazhdimisht, duke e bërë të vështirë më pas edhe marrjen e rezultatit. Mbetet për t’u parë nëse kjo statistikë negative do të marrë fund ndaj Flamurtarit. Trajneri Alfred Allamani është marrë vazhdimisht gjatë kësaj periudhe me aspektin mbrojtës në skuadër, ku me përforcimet e fundit shpresohet që të kenë bërë përmirësim.