Pesë ndeshje kanë mjaftuar që Marcus Rashford të mendojë për një të ardhme afatgjatë në Aston Villa.
Sulmuesi 27-vjeçar iu bashkua skuadrës nga Birminghami në janar si huazim nga Manchester Unitedi dhe tashmë është vendosur në planet e trajnerit spanjoll, Unai Emeryt.
Sipas “The Sun”, sulmuesi është aq i kënaqur me mënyrën se si po trajtohet nga trajneri, saqë tashmë po shqyrton seriozisht mundësinë për të vazhduar me skuadrën nga “Villa Park” edhe sezonin e ardhshëm.
Lojtari beson se nën urdhrat e trajnerit Emery, ai mund të rigjallërojë karrierën e tij profesionale.
Gjithsesi, duket ende herët për të ditur se për cilin ekip do të luajë anglezi sezonin e ardhshëm.
Sipas “Football Insider”, Barcelona dhe Bayern Munchen po e ndjekin atë dhe mund të ndërmarrin veprime nëse sulmuesi është në gjendje të ruajë formën e tij.
Për më tepër, mbetet të shihet se sa para do të kërkojnë “Djajtë e Kuq” për shitjen e tij kur të vijë koha.