Pavarësisht krizës sportive, Manchester City është ende në garë për një vend në Champions League dhe ka mundësinë të fitojë “FA Cup”.
Dy objektiva që mund ta bëjnë më pak të hidhur një sezon në të cilin skuadra e Pep Guardiolës do të dorëzojë titullin e Premier League dhe do të jetë sërish spektatore në fazat finale (me eliminim direkt) të kompeticionit më të madh europian, Champions League.
Në gjithë këtë situatë, mbetet për t’u parë ende se çfarë dënimi do të japë Premier League për 130 akuzat ndaj klubit nga “Etihad” për shkelje të rregullave financiare midis viteve 2009 dhe 2018. Javier Tebas ka kërkuar ndëshkime shembullore: "Gjithçka që bëjnë është të mendojnë se si t’i anashkalojnë rregullat dhe rregulloret.
Ne e kemi raportuar situatën në Bashkimin Europian, duke bashkëngjitur të dhëna dhe shifra mbështetëse. Ata i kanë transferuar humbjet e tyre në kompani të ndryshme, Manchester City ua faturon të gjitha shpenzimet e veta këtyre kompanive. Kjo i mundëson Manchester City të ketë një strukturë që anashkalon rregullat".
Përgjigja e Guardiolës mbi këtë çështje pritej me shumë interes. Tri pyetjet mbi këtë temë, trajneri katalanas iu përgjigj thjesht me "vazhdojmë përpara". Më pas shtoi: "Nuk e di pse ka folur Tebas.
Ka ndodhur më parë me UEFA-n (City u përjashtua nga garat europiane për 2 vite në shkurt 2020 për shkelje të ‘fair-play financiar’, por Gjykata e Arbitrazhit Sportiv e anuloi sanksionin) dhe tani, pas disa javësh, do të ndodhë me Premier League. Do të presim dhe pastaj do të flasim".