Szczęsny: Stresi është armiku im si futbollist

- Bota Sot

Szczęsny: Stresi është armiku im si futbollist

Wojciech Szczęsny debutoi me Barcelonën në ndeshjen e Kupës së Mbretit kundër modestëve të UD Barbastro, në transfertë. Duke folur për mënyrën se si e menaxhoi presionin para ndeshjes, në një intervistë për “BarçaOne”, portieri polak zbuloi:

"Është shumë ndryshe nga kur isha më i ri. Gjithmonë ekziston një nivel pasigurie për rezultatin, për mënyrën se si do të shkojë ndeshja, sepse dëshiron të japësh maksimumin dhe të mos turpërohesh. Sidoqoftë, nuk kam stres”.

Më tej, polaku tregoi një moment të veçantë nga karriera e tij: "Mendoj se ka qenë vetëm një ndeshje në jetën time kur kam qenë me të vërtetë i stresuar. Ajo ishte ndeshja ime e parë me kombëtaren në ‘Euro 2012’.

Aty përfundova i përjashtuar me karton të kuq dhe kuptova që stresi nuk është miku im. Tani nuk ndiej stres. Nuk jam i stresuar, është thjesht pak adrenalinë që të ndihmon të qëndrosh i përqendruar dhe të japësh më të mirën".

Duke kujtuar debutimin e tij kundër Barbastros, 34-vjeçari tha: "Ishte një situatë e çuditshme për shkak të atmosferës, fushës, stadiumit. Po flasim për Barbastro, nuk është se e imagjinon debutimin tënd me Barcelonën në një ndeshje të tillë. Një fushë e keqe, një ambient i ndryshëm, por unë isha i përqendruar.

Përpiqem gjithmonë të përqendrohem duke medituar para ndeshjeve. Pra, bëra të njëjtën gjë kundër Barbastros, edhe kundër Real Madridit. Nuk ndryshon asgjë".



Read it all at Bota Sot