Giuliano Simeone nuk është thjesht një “djalë arti”, por edhe lojtari më i fundit argjentinas që ka bërë emër tek Atletico Madrid.
Një ekip që është bërë “koloni” e vërtetë argjentinase: “Ka shumë argjentinas këtu dhe e vërteta është se jemi një grup i mirë, shkojmë shumë mirë me njëri-tjetrin. E ndihmojmë shumë njëri-tjetrin”.
Zgjedhja e kombëtares: “Nuk kam folur kurrë me Spanjën. Edhe sikur të më kishin kontaktuar, jam 100% argjentinas. Thirrja e parë? Isha në shtëpi, i qetë, i ulur, kur Walter Samuel më dërgoi një mesazh. Më pyeti nëse mund të më telefononte dhe unë iu përgjigja menjëherë.
Më tha: Të kemi vëzhguar, të kemi ndjekur. Dua që të jesh në listë, të vish me kombëtaren argjentinase. Sapo e mbylla telefonatën, e diskutova menjëherë me familjen dhe partneren, që ishte aty. Fillova të qaja, sepse është diçka e pabesueshme të jesh pjesë e kombëtares argjentinase, mes kampionëve të botës. Ishte një lumturi e madhe për mua”.
Objektivi mbetet Kupa e Botës 2026: “Do të ishte çmenduri po të merrja pjesë në Botërorin e radhës, një ëndërr. Sigurisht që dua të jem atje, por për ta arritur këtë, duhet të stërvitem çdo ditë dhe të përmirësoj shumë gjëra. Ka shumë lojtarë të shkëlqyer që mund të jenë pjesë e asaj liste. Gjithsesi, të luaj në një Kupë Bote është ëndrra ime më e madhe”.
A e bindi ai Julian Alvarez që të firmoste për Atletico Madridin: “Ishim në Lojërat Olimpike dhe po përpiqesha ta bindja. Çdo ditë i kërkoja të na bashkohej tek Atletico Madridi. E vërteta është se ai po bën një sezon të shkëlqyer, shpresojmë që të vazhdojë kështu”.
Një mbiemër me peshë: “Kam pasur shumë trajnerë që gjithmonë kanë kërkuar maksimumin nga lojtarët e tyre. Edhe unë përpiqem të bëj atë që trajneri kërkon nga ekipi: të jap më të mirën, të bëj paraqitjen më të mirë të mundshme. Mendoj se jemi të dy profesionistë, fokusohemi te klubi dhe punojmë. Kur shkoj në qendrën sportive, ai është trajneri i Atletico Madrid, jo babai im. Është kaq e thjeshtë”.