Kremlini thotë se negociatorët amerikanë janë rrugës për në Rusi

- Bota Sot

Kremlini thotë se negociatorët amerikanë janë rrugës për në Rusi

Kremlini tha se negociatorët nga Shtetet e Bashkuara janë nisur drejt Rusisë, ku pritet të kenë kontakte me palën ruse.

“Në të vërtetë, negociatorët janë duke udhëtuar me avionë, është planifikuar që të ketë kontakte. Do t’iu tregojmë më vonë se çfarë do të ndodhë”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, kur u pyet nga gazetarët që të komentonte deklaratat e bëra nga presidenti amerikan, Donald Trump, se negociatorët amerikanë ishin rrugës për në Rusi.

Peskov tha po ashtu se presidenti rus, Vladimir Putin, planifikohet të zhvillojë një “bisedë telefonike ndërkombëtare” mbrëmjen e së enjtes.

Një ditë më parë, Trump tha se përfaqësuesit amerikanë ishin nisur drejt Moskës për të negociuar për një marrëveshje të mundshme me Ukrainën, pasi Kievi u pajtua për një armëpushim 30-ditor. Trump nuk specifikoi se kush ishte pjesë e ekipit negociues, por tha se shpreson që ata do të jenë në gjendje të arrijnë që Rusia të pranojë një armëpushim.

Ndërkaq, nënpresidenti amerikan, JD Vance, tha se “do të ketë një telefonatë me disa nga përfaqësuesit tanë në ditët në vijim”.

Trump nuk tregoi se kur do të zhvillojë bisedën e radhës me Putinin, por tha se shpreson që ai të vendosë për një armëpushim.

Delegacionet e Ukrainës dhe SHBA-së u takuan në Arabinë Saudite më 11 mars. Gjatë bisedimeve, Ukraina u pajtua me propozimin amerikan për një armëpushim 30-ditor me Rusinë. Delegacionet po ashtu diskutuan për rëndësinë e përpjekjeve humanitare si pjesë e procesit të paqes, veçmas gjatë armëpushimit, përfshirë këmbimin e të burgosurve të luftës, lirimin e civilëve të arrestuar dhe kthimin e fëmijëve ukrainas të zhvendosur me forcë.

Më pas, Trump deklaroi se përfaqësuesit amerikanë dhe rusë do të takoheshin për të diskutuar për armëpushimin.

Pas negociatave, SHBA-ja nisi ndihmën ushtarake dhe ndarjen e informacioneve të inteligjencës me Ukrainën.

Kremlini tha se po studion deklaratat pas takimit në Arabinë Saudite.

Një burim i afërt me Kremlinin tha se Rusia mund të paraqesë kërkesa për armëpushim, sikurse është ndalimi i furnizimeve me armë i Ukrainës gjatë armëpushimit, por burimi nuk specifikoi nëse një ndalesë e tillë do të përfshinte furnizimet ndërkombëtare të armëve apo vetëm armët që dërgohen nga vende specifike./REL



Read it all at Bota Sot