Humbja e rëndë kundër Atalantës ka hapur një seri pyetjesh dhe reflektimesh të thella për të ardhmen e Juventusit, pas një sezoni që duhej të ishte ai i riformatimit për të risjellë sukseset. Dhe në vend të kësaj, në më të mirën e rasteve, do ta shohë Juventusin të luftojë vetëm për vendin e katërt dhe kualifikimin në Ligën e Kampioneve.
Dyshime për drejtimin teknik, për ata që e kanë zgjedhur atë, por edhe për disa nga lojtarët që bëjnë pjesë në projekt, veçanërisht për disa që u panë në fushë mbrëmjen kundër Atalantës.
Më gjerësisht, nuk mund të mos vihen re gjithashtu se merkatoja e janarit nuk i ka ndihmuar shumë Juventusit. Të paktën jo për dy lojtarët që u shpenzua më shumë, të vetmit të blerë me kontratë të përhershme nga Xhuntoli, mbrojtësin portugez, Alberto Kosta, dhe mbrojtësin qendror anglez, Loid Keli.
Dy lojtarë që nuk kanë lënë shenjë, përveçse në arkat e klubit, pasi ata kushtuan pothuajse 40 milionë euro. Të dy mund të merren si shembuj konkretë të asaj që nuk shkon te Juventusi. Shumëkush, për shembull, po pyet nëse nuk ishte e mundur të shpenzohej ndryshe kapitali i vendosur për Alberto Kostën, një mbrojtës i ri dhe që krijon për herë të parë një eksperiencë jashtë Portugalisë, por që gjithsesi kushtoi 13 milionë euro.
Deri në humbjen me Empolin në Kupën e Italisë, ai nuk kishte bërë debutimin, dhe deri tani ka grumbulluar vetëm 71 minuta në tri paraqitje, pa lënë shumë shenjë. Diskurs tjetër mund të bëhet për Kelin. Një investim edhe më i madh, megjithëse nisi si huazim me mundësi blerje të detyrueshme në rastin e arritjes në Europë.
Po flitet për një marrëveshje prej 25 milionë eurosh potenciale, por në 7 paraqitjet e tij te Juventusi, ai nuk ka treguar asnjë shenjë që të krijojë optimizëm ose të besojë se paratë e shumta të shpenzuara për të ishin të justifikuara.
Një vlerësim, mbi të cilin ndikon edhe pesha e nevojës për të mbushur sërish hapësirat e një mbrojtjeje, që është zbrazur nga lëndime të rënda si ato të Kabal, por sidomos të Bremer. Në krahasim me performancën e brazilianit, ajo e Kelit nuk mund të jetë tjetër veçse e pamjaftueshme për të mbushur boshllëkun.