Federata e Futbollit të Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall, vazhdojnë të ndajnë çmimin “Ylli i Javës”. Ky çmim për javën e 24-t në Albi Mall Superligë i është ndarë sulmuesit të FC Malisheva, Altin Aliu.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, në përbërje të Shyqeri Salihu, Agim Xhakoli dhe Selajtin Jerliu. Ky komision vendosi që çmimi “Ylli i Javës” për këtë xhiro t’i takojë Altin Aliut, i cili shënoi Hat-Trick në fitoren e Malishevës kundër Gjilanit, me rezultat 4:1.
Pasi mori këtë çmim, Aliu u shpreh i lumtur që u vlerësua më i miri i javës:
“Duke e pasur parasysh që SC Gjilani ka pasur ambiciet e veta, jemi përgatitur shumë për këtë ndeshje, sepse këto 3 pikë na japin stabilitet për pjesën e sipërme të tabelës.
Jemi përgatitur maksimalisht dhe çdo lojtar e tregoi shpirtin luftarak, andaj edhe dolëm pozitivë në këtë ndeshje.
Që nga fillimi i sezonit, Malisheva ka treguar ambiciet për dalje në Evropë dhe duke e pasur parasysh kontingjentin e lojtarëve që kemi dhe atmosferën e mirë, do ta japim maksimumin që të arrijmë objektivat e klubit dhe suksesin tonë.
Është një ndjenjë e mirë që të shpallem ‘Ylli i Javës’ dhe shpresoj që do ta marr edhe herë të tjera këtë çmim, sepse ky është një sukses i karrierës sime. Dua të falënderoj bashkëlojtarët, sepse pa kontributin e tyre, nuk do ta arrija ta fitoja këtë çmim as unë” – tha ai.