Serbi: Studentët sfidojnë pushtetin e fortë të presidentit

- Bota Sot

Serbi: Studentët sfidojnë pushtetin e fortë të presidentit

Studentët dhe qytetarët kanë ecur prej ditësh në drejtim të kryeqytetit të Serbisë. Dhjetëra protesta e incidente kanë ndodhur vetëm gjatë javës. Presidenti Aleksandar Vuçiq dhe pushteti i tij deri më tani nuk dorëzohen lehtë. Ai thotë, se protestave u ka ardhur fundi, ndërsa studentët thonë se këtë e vendosin ata dhe jo presidenti.

Rruga e gjatë e Millosh Obrenoviqit në qytetin e vogël Obrenovac

Rreth 32 kilometra larg nga qendra e kryeqytetit serb ndodhet Obrenovaci. Qendra e tij ishte e mbushur me njerëz darkën e së enjtes, më 13 shkurt, dy ditë para protestës së madhe të paralajmëruar në Beograd.

Në fillim gjithçka dukej e qetë, por më pas, një radhë njerëzish ecte drejt kryqëzimit të fundit që shpie në dalje të qytetit, afër një shkolle të mesme dhe një taverne serbe. "Aty do të vijnë studentët nga të dyja anët", thotë Marija, një grua që ecën bashkë me bashkëshortin dhe djalin e tyre. "Jemi nisur sepse e duam këtë vend dhe duam të jetojmë këtu, por jo në një vend ku mbizotëron diktatura", thotë ajo për DW, ndërsa ecën me flamurin e ngritur në shtizë. "Ka shumë njerëz që ende kanë frikë të dalin në rrugë, por populli është ngritur dhe kjo jep shpresë", thotë i shoqi, i cili sugjeron që të citohet më shumë e shoqja, pasi të dy mendojnë njësoj.

"Pumpaj…", brohoret i biri, rreth dhjetë vjeç. Në shqip "pumpaj" do të thotë të fryj, dhe kjo është motoja kryesore e protestave në Serbi. Shumë prej tyre mbajnë pompa për gomat e biçikletave dhe vuvuzela për të bërë sa më shumë zhurmë dhe për të "fryrë" derisa pushteti të "pëlcasë".

Vendtakimi është te shkolla fillore që mban emrin e poetit për fëmijë, mjekut dhe politikanit Jovan Jovanoviq Zmaj dhe te taverna serbe "Čudo" – shqip "Çudia".

Protestat filluan kundër korrupsionit dhe me kërkesën për përgjegjësi për shkak të rrëzimit të çatisë së stacionit hekurudhor në Novi Sad në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, ku humbën jetën 15 persona dhe dy u lënduan. Por tani ato janë kthyer në një lëvizje masive që kërkon zgjidhje politike.

Motoçiklistët, traktoristët dhe studentët

Vajza të reja të veshura me kostume kombëtare mbajnë në duar bukë pogaçe dhe kripë për mikpritje tradicionale ndaj studentëve që kanë nisur ecjen katër ditë më parë nga vende të ndryshme të Serbisë, në marshim për protesta. Radhët e qytetarëve duken të pafundme në këtë qytet të vogël dhe gjithçka gumëzhin pa pushim. "Edhe 20-30 minuta do të arrijnë studentët…", thërret një i ri me megafon i veshur me gëzof të verdhë, i cili mban rendin në rrugë.

Pak më vonë dëgjohen dy makina policie që duken si një shkëndijë në fund të rrugës në distancë. Pas tyre, dalin në hije disa drita të tjera. Motoristët e Serbisë u janë bashkuar studentëve që kur ndodhën incidentet dhe dhuna muaj më parë. Ata prinë të parët duke përshëndetur dhe brohoritur, ndërsa nga krahu tjetër dhjetra traktorë gjigantë, disa me njerëz sipër tyre brohorasin. Pak më vonë, studentët nisen drejt rrugës kryesore. Në qiell shpërthejnë fishekzjarret. Për studentët, lule, shtrëngim duarsh dhe përqafime bashkë me lot. "Kam ecur dy ditë, por jemi duke marshuar për lirinë", thotë Milloshi, një student nga qyteti Shabac.

Këto pamje kanë qenë të shumta javën që shkoi, pasi nga të gjitha anët e Serbisë ka grupe që janë nisur në këmbë. Kur të arrijnë në Beograd, ata do të vendosen te shtëpitë e studentëve të tjerë, fakultetet dhe njerëzit e panjohur që në grupe të ndryshme në internet ofrojnë strehim për protestuesit.

Protestave u janë bashkuar edhe një numër bujqish nga Serbia, që janë nisur me makineritë e tyre drejt Beogradit. Traktorët u raportuan edhe para kampit të atyre që mbështesin ndalimin e bojkotit në universitete dhe në media u raportua se pushteti po sjell traktorët e tyre në disa qendra në periferi të Beogradit si kundërpërgjigje.

Studentët që "duan të mësojnë" - dhe beretat e kuqe

Dita e 6 marsit shënoi momentin kur në Parkun e Pionierëve, pranë godinës së Presidencës, zbarkuan disa qindra persona të rinj me tenda për të krijuar një kamp. Në një njoftim për shtyp, ata thanë se janë grupi që dëshiron të ndalojë bojkotin e universiteteve, grevat dhe të rikthejë normalitetin. Ata e quajtën veten "Studentët 2.0" dhe thanë se janë "studentët që duan të mësojnë".

Ata i dërguan një letër institucioneve, presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, kryetares së parlamentit Ana Brnabiq dhe zyrtarëve të tjerë, ku deklaruan se të gjitha kërkesat e studentëve janë plotësuar dhe kërkojnë kthimin në normalitet.

"Ne nuk duam dhunë, por duam të kthehemi dhe të studiojmë", tha Millosh Pavlloviq, një student i mjekësisë që u identifikua si një nga drejtuesit e grupit. Fakulteti i tij u distancua nga ai, duke e quajtur një njeri të pushtetit që nuk i përfaqëson.

Në rrjetet sociale, disa nga studentët e grupit u identifikuan si figurantë në emisione të ndryshme televizive, ndërsa mediat e Beogradit pretendojnë se shumica nuk janë studentë dhe kanë indekse të reja.

Disa ditë më vonë, atyre iu bashkuan edhe disa persona të tjerë: veteranët e beretave të kuqe, ish-pjesëtarët specialë të Sigurimit të Shtetit, njësi që lidhen me luftrat e ish-Jugosllavisë, atë të Kosovës dhe vrasjen e kryeministrit, Zoran Gjingjiq, në vitin 2003. Këtij grupi në park, iu bashkuan gjithashtu një numër i serbëve të Kosovës.

Presidenti Aleksandar Vuçiq u shfaq nga tarraca e tij duke folur për grupin e studentëve, duke përmendur situatën aktuale dhe Donald Trumpin e ri, djalin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjatë qëndrimit të tij në Beograd, ku dha një intervistë për podcastin që Trump i ri drejton. "Protestat janë financuar edhe nga Amerika…”, tha Trump Jr, duke cituar bisedën me presidentin serb.
Një ditë para protestës të së shtunës, Vuçiq apeloi te Studentët 2.0 që të largoheshin pas protestës dhe i priti ata në selinë e tij. "E falenderoj presidentin, pasi ishte i vetmi që na priti dhe na dëgjoi”, tha Pavlloviq, i cili kryeson grupin. 

E ardhmja politike e Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, prej ditësh ka paralajmëruar rrezikun e dhunës së mundshme në protestat e së shtunës. "Ata duan të krijojnë dhunë dhe kjo është mënyra e vetme e tyre”, tha Vuçiq në një adresim për mediat.

"Ne e dimë që po planifikohen trazira më 15 mars. Janë nervozë sepse e dinë që revolucioni me ngjyra nuk do tiu kalojë", deklaroi ai. Presidenti, në një adresim të jashtëzakonshëm nga Presidenca, tha se e kishte paralajmëruar qartë se çfarë do të ndodhte që para dhjetë ditësh. "Thashë se ka një rënie të numrave për ata që bllokojnë Serbinë dhe se njerëzit tani e kanë kuptuar këtë, se mbështetja për ato tubime të organizuara nga opozita po bie dhe se do të kalojnë në radikalizim", shtoi ai.

Dushan Spasojeviq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, thotë për DW, se protestat kanë ndikuar jetën e përgjithshme në Serbi. "Në një gjendje normale, qeveria do të plotësonte kërkesat e studentëve dhe gjithçka do të ishte në rregull. Ose, mund të kishim edhe zgjedhje të jashtëzakonshme që do të tregonin nëse ekziston një mazhorancë tjetër”, u shpreh ai. Por ai beson se kushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike nuk ekzistojnë më. "Ne kemi nevojë për një zgjidhje të jashtëzakonshme dhe shumica e njerëzve do të pajtoheshin se është e nevojshme një qeveri tranzicioni me përfaqësues nga pushteti, opozita, si dhe ekspertë dhe profesorë universitarë për të dalë nga kriza me një periudhë 6-12 mujore, e më pas të mbahen zgjedhje”, tha Spasojeviq.

Por ky opsion nuk është i pranueshëm për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili disa herë ka përsëritur publikisht se kurrë nuk do ta bëjë një gjë të tillë.

Protestat çuan deri te dorëheqja e kryeministrit, Millosh Vukçeviq, që u pranua në Kuvendin e Serbisë, pavarësisht tensioneve të shumta që ndodhën këto ditë. Vuçiq ka paralajmëruar një mandatar të ri.

Studentët thonë, se protestat nuk do të ndalen dhe se fundi i tyre nuk do të vijë kur ta thotë presidenti, por kur të thonë ata se janë plotësuar kushtet. Për momentin, ata nuk kanë ndërmend të ndalen.DW



Read it all at Bota Sot