Islanda në Prishtinë, Kosova gati për sfidën e madhe

- Bota Sot

Islanda në Prishtinë, Kosova gati për sfidën e madhe

Kombëtarja e Kosovës e ka mbajtur stërvitjen zyrtare për ndeshjen e parë të plejofit për Ligën B të Ligës së Kombeve kundër Islandës, e cila zhvillohet të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Të gjithë futbollistët ishin të pranishëm në seancën e fundit stërvitore, ndërsa përzgjedhësi Franco Foda ka punuar në detajet e fundit taktike, teksa në konferencën për media ka theksuar rëndësinë e angazhimit maksimal nga minuta e parë.

Seanca stërvitore e zhvilluar të mërkurën ishte e karakterizuar nga një atmosferë pozitive dhe dinamike, me ekipin që u fokusua në skemat sulmuese dhe mbrojtëse.

“Ne kemi dy ndeshje për t’i fituar dhe që të dyja janë të rëndësishme për të vendosur nëse do të jemi në Ligën B. Atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe të gjithë lojtarët janë të gatshëm për sfidën. Duhet të tregojmë në fushë që kemi shpirt luftarak dhe synimi ynë është vetëm fitorja”, theksoi Foda në konferencën për media.

Ai gjithashtu vlerësoi kundërshtarin, duke potencuar se Islanda ka lojtarë cilësorë dhe një lojë të mirë taktike. “Ne duhet të jemi të përqendruar nga momenti i parë i prekjes së topit. E dimë që Islanda ka lojtarë me eksperiencë në klube të mëdha evropiane, por ne duhet të fokusohemi në lojën tonë dhe të ushtrojmë presion që nga minuta e parë”, shtoi Foda.

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani dhe mesfushori Valon Berisha janë të gatshëm për lojë, pasi në stërvitjen e sotme kanë punuar së bashku me pjesën tjetër të ekipit.

E Milot Rashica beson në forcën e ekipit për të arritur rezultatin e dëshiruar. “Gjendja e ekipit është shumë e mirë. Kemi pasur disa ditë për përgatitje dhe të gjithë janë në formë të mirë. Luajmë në shtëpi dhe do të mundohemi të shfrytëzojmë këtë përparësi, së bashku me tifozët tanë”, tha Rashica.

“Kualifikimi është ëndrra e secilit prej nesh dhe shpresojmë ta arrijmë sa më shpejt. Çdo ndeshje me Kombëtaren, pa marrë parasysh a është kualifikuese, apo miqësore, shërben për të mirën tonë dhe për ta parë se ku jemi si ekip dhe individualisht. Por, normalisht edhe këto e kanë rëndësinë e vet, duhet të fitojmë dhe të kalojmë tutje. Pastaj do të kemi kohë për t’u përgatitur për kualifikime të tjera”, tha tutje Rashica.

Kosova kërkon avancimin në Ligën B pas një ecurie të mirë në Ligën C, ndërsa Islanda synon të mbetet në këtë nivel. Dueli i parë luhet të enjten në Prishtinë, ndërsa ai i kthimit zhvillohet të dielën në Murcia të Spanjës.



Read it all at Bota Sot