Dëmtimet e bëjnë edhe më të frikshme

- Bota Sot

Dëmtimet e bëjnë edhe më të frikshme

Lautaro Martinez mban Interin në ankth. Rikthimi i kampionatit për skuadrën e Simone Inzaghit ngjan me një mal për t’u ngjitur. Në prill, zikaltërit do të luajnë 9 ndeshje brenda 27 ditëve. Objektivi, në të vërtetë, është ta mbajnë ritmin aktual edhe në javët në vijim. Megjithatë, ri-nisja do të jetë e vështirë.

Rikthimi i sulmuesit argjentinas në Milano është planifikuar për të shtunën. Gjatë fundjavës, ose më së voni të hënën, ai do t’iu nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore për të sqaruar natyrën e dëmtimit që e la jashtë sfidave kundër Uruguajit dhe Brazilit.

Prania e tij kundër Udineses, pas rifillimit të kampionatit, është e përjashtuar, ndërsa duket e pamundur që të jetë gati edhe për derbin kundër Milanit në Kupën e Italisë. Situatë e ngjashme edhe për Denzel Dumfries, i cili fillimisht do t’iu nënshtrohet ekzaminimeve. Holandezi mund të mungojë edhe në ndeshjen ndaj Parmës më 5 prill.

Kundër Udineses, Inzaghi nuk do të ketë në dispozicion as Alessandro Bastonin, i cili është i skualifikuar dhe duhet të bëjë kujdes për kartonët e verdhë, pasi do të rikthehet në prag të pezullimit. Do të kthehen Darmian, Dimarco dhe Zalewski, por të tre do të kenë nevojë për kohë për të rifituar ritmin pas ndalesave të tyre.

Kalendari i ngjeshur po ndikon në gjendjen fizike të Interit, por klubi synon të shtojë edhe më shumë ndeshje në programin e tij, pasi kjo do të thotë më shumë mundësi për fitore. Këto janë bukuritë dhe paradokset e futbollit të sotëm modern.



Read it all at Bota Sot