Arrigo Saki, analizoi humbjen 2-1 të Italisë, në ndeshje Ligës së Kombeve kundër Gjermanisë.
Ish-trajneri i Italisë, pas atij rezultati, e konsideron tepër të vështirë misionin e Italisë për kualifikimin në gjysmëfinale. Në një deklaratë për “La GAzzetta dello Sport”, ai sqaroi: “Për të kaluar në gjysmëfinale, duhet një mrekulli e madhe.
Nuk e di nëse Italia është gati për këtë, dhe në fund të fundit nuk është as e drejtë ta kërkojmë apo ta presim me çdo kusht. E rëndësishme është që tifozët të jenë afër kësaj kombëtareje dhe ta mbështesin në procesin e rritjes, pa krijuar polemika të kota kur humbet dhe pa e ngritur në qiell kur fiton”.
Sipas Sakit, ndryshimi i stilit të lojës për një ekip kërkon kohë, aq më tepër kur bëhet fjalë për kombëtare, në të cilat edhe koha për të punuar është më e pakët.
“Italia ka qenë gjithmonë e bazuar te mbrojtja dhe kundërsulmi.
Tani po ndiqet një rrugë e re, më moderne, si pjesa tjetër e Europës. Sidoqoftë, ende kemi nevojë për kohë për ta përvetësuar këtë ide.
Nuk ka sekrete: duhet ulur koka dhe punuar. Vetëm puna sjell rezultate”, përfundoi 78-vjeçari.