Kënga e mirënjohur ‘Mora fjalë’, e interpretuar nga këngëtarja Shkurte Fejzës, është rikthyer së lëshuari në shkallët e stadiumit “Arena Kombëtare” në Tiranë.
“Mora fjalë” u bë hit i atmosferës brenda ekipit kombëtar shqiptar gjatë kualifikueseve për Kampionatin Evropian “Gjermani 2024”.
Përveç lojtarëve në zhveshtore, “Mora fjalë” u kthye thuajse në një himn edhe në shkallët e stadiumit ‘Arena Kombëtare’, ku këndohej nga të gjithë tifozët.
Kjo këngë e interpretuar nga shqiptarja e madhe, Shkurte Fejza, këndohej edhe në stadiume tjera me zell nga tifozët shqiptarë dhe nuk paramendohej fillimi i një loje të kombëtares kuqezi pa ‘Mora fjalë’.
Megjithatë, kjo këngë ndaloi së lëshuari pas Euro 2024, duke krijuar shumë debat dhe polemika mes tifozëve të kombëtares dhe krerëve të FSHF-së.
Tani pas një pauze disa mujore ky ‘himn’ është rikthyer përsëri në shkallët e stadiumit pasi u lëshua para ndeshjes dhe pas pjesës së parë mbrëmë (e hënë) ndaj Andorrës në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026.
Njësoj si në ditën e parë, kjo këngë ngjalli emocione tek të pranishmit dhe thuajse të gjithë tifozët në shkallët e stadiumit iu bashkuan këngës.