Brazili është në krizë të plotë.
Humbja e rëndë 4-1 ndaj Argjentinës në “Monumental” nxori në pah të gjitha dobësitë e 5 herë kampionëve të botës, të cilët duken pa një drejtim të qartë dhe liderë në fushë.
Ndërkohë që Albiceleste vazhdon të fitojë edhe pa Messin, skuadra e Dorival Junior duket e rraskapitur.
Pas disfatës, Vinicius Junior dha një mesazh të qartë: është e nevojshme kthesa para Kupës së Botës 2026. “Duhet të rishqyrtojmë gjithçka. Ne luajtëm keq, ndërsa Argjentina bëri një paraqitje të shkëlqyer. Nuk dua të humbas një tjetër Botëror”, – tha sulmuesi i Real Madridit, duke nënkuptuar një ndryshim të mundshëm në pankinë.
Dorival Junior tashmë është nën presion. Sipas mediave braziliane, CBF po shqyrton sërish opsionin Carlo Ancelotti. Presidenti i Federatës Braziliane të Futbollit (CBF), Ednaldo Rodrigues, më parë kishte tentuar ta bindte trajnerin e Real Madridit, ndërsa tani emri i tij rikthehet në krye të listës së dëshirave.
Megjithatë, vendimi përfundimtar pritet të merret midis qershorit dhe korrikut, duke pasur parasysh angazhimin e Ancelottit në Kupën e Botës për Klube me “Los Blancos”. Dorival Junior, ndërkohë, nuk dorëzohet: “E di që është një moment delikat, por besoj në punën time. Nuk kam dyshime se do të gjejmë një zgjidhje”.
Sidoqoftë, tifozët kërkojnë përgjigje të menjëhershme. Mes alternativave të tjera për stolin e Brazilit përmenden edhe Filipe Luis, ish-mbrojtësi i Atlético Madridit dhe aktualisht trajner i Flamengos, si dhe Jorge Jesus (Al-Hilal) apo Abel Ferreira (Palmeiras). Brazili ka nevojë për një shkundje të fortë për t’u rikthyer në majat e futbollit të Amerikës së Jugut.