Ministri i Mbrojtjes së Greqisë, Nikos Dendias ka njoftuar në një konferencë shtypi rritjen horizontale të pagave të gjithë pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të vendit nga 13% deri në 20%, që do të jepen në tre këste: në 1 prill, 1 korrik dhe 1 tetor.
“Është një reformë në paga që do të zbatohet nga 1 prilli 2025 dhe do të përfundojë në 1 tetor 2025. Kjo është faza e parë e saj. Oficerët e Forcave të Armatosura do të kenë brenda muajve të ardhshëm rritje të pagave mujore nga 13% në 20% e më shumë”, shprehet Nikos Dendias ministër i Mbrojtjes .
Sipas Dendias këto rritje pagash financohen kryesisht nga kursimet e bëra nga vetë Ministria e Mbrojtjes Kombëtare në kuadër të racionalizimit të strukturës së re të Forcave të Armatosura bazuar në të ashtuquajturën “Axhenda 2030” , që parashikon mbylljen e shumë reparteve ushtarake , përqendrimin e forcave në disa të tjera, modernizimin e armatimeve avionëve, anijeve , raketave etj në një program kolosal me vlerë 10 miliard euro .
“Rritjet do të varen nga grada, pozicioni i përgjegjësisë, ushtrimi i menaxhmentit dhe kategoria. Përforcimi total i pagave dhe shtesave bazë të drejtuesve të Forcave të Armatosura do të arrijë në 268 milionë euro”, shton ai.
Duke folur për doktrinën e re të Forcave të Armatosura, Dendias ka thënë se në axhendën e vitit 2030 përfshihet edhe strehimi për çdo ushtarak dhe familjen e tij që zhvendoset në periferi të Greqisë ku do ndërtohen brenda katër viteve 4000 shtëpi për ta. Ai ka ripërsëritur deklaratat e kryeministrit Mitsotakis sipas të cilit rritja e pagave për Forca e Armatosura janë shenja minimale e njohjes së rolit që kanë luajtur ato dhe kontributit të tyre në garantimin e sigurisë së çdo qytetari të vendit.