Donadoni: Disa humbje të fundit të Napolit në kampionat nuk i prisja

- Bota Sot

Donadoni: Disa humbje të fundit të Napolit në kampionat nuk i prisja

“Napoli ka tri pikë më pak nga Interi dhe me 9 ndeshje për t’u luajtur ende, i ka të gjitha mundësitë për të luftuar për titullin”. Kështu ka deklaruar Roberto Donadoni, ish-trajner i Bologna dhe i kombëtares italiane, ndër të tjera, në një intervistë për “Gazzetta dello Sport” lidhur me garën mes Inzaghi dhe Conte.

Ai foli sidomos në lidhje me atë që mund të ndodhë pas përballjes së bluve me Milanin, mbrëmjen e sotme:

“E pranoj se disa nga humbjet e fundit të napolitanëve nuk i prisja, por rruga është ende e gjatë. Sidomos sepse Conte mund të përqendrohet vetëm te kampionati, ndërsa Inzaghi do të ketë si Champions League, ashtu edhe Kupën e Italisë”.

Për sa iu përket shanseve nga ana e napolitanëve për të besuar te titulli kampion, Donadoni shtoi: “Mendoj se është e drejtë të besohet deri në fund. Megjithatë nuk mendoj se të jesh në garë në tri fronte për Interin është patjetër disavantazh. Të shkuarit përpara në Champions dhe Kupën e Italisë mund të sjellë entuziazëm, pastaj këmbët nuk e ndiejnë më lodhjen”.

Nëse Milani mund të shpresojë ende për vendin e katërt dhe kualifikimin në Champions: “Shpresoj që po, por mendoj se nuk është objektiv i lehtë për t’u arritur. Një ndeshje direkte si ajo në ‘Maradona’ do të ishte test i mirë. Në rast suksesi, ndikimi pozitiv do të ishte i konsiderueshëm, do t’iu jepte një shtysë të madhe përpara kuqezinjve. Pastaj, sigurisht, nëse të tjerët vazhdojnë të fitojnë…”

Për përballjen e sotme në “Maradona”: “Momentalisht më duket se Napoli ka një identitet dhe një filozofi loje më të përcaktuar. Mendoj se Napoli do të dëshirojë të luajë me agresivitet për t’i hequr kohën dhe hapësirën Milanit, sepse kur sulmohen, kuqezinjtë shpesh kanë pasur probleme. Shpresoj që të mos ndodhë kështu dhe presioni i formacionit të Contes t’i mundësojë Conceicao të shfrytëzojë kundërsulmet”.

Një këshillë nga një zemër e vjetër kuqezi, e cila më pas ka folur për temën e Rafael Leao te Milani: “Leao ka një potencial të madh. Nëse ndihet i përfshirë dhe ka hapësira për të shprehur shpejtësinë e tij, bëhet i padalshëm. Të gjithë e dinë që, nëse merr topin në hapësirë, Leao është i vështirë për t’u ndaluar. Nëse futet në posedim me shpinë nga porta, është më pak i rrezikshëm”.

Disa fjalë edhe për ndikimin e Gimenez: “E ka nisur mirë, por nuk ka shënuar për 5 ndeshje? Kur arrin në një kampionat të ri, është normale të ndeshësh në vështirësi. Edhe pas një fillimi të rëndësishëm, duhet të kalonte një periudhë përshtatjeje. Kjo gjë ndodh edhe sepse Milani, për shkak të eliminimit nga Champions League, ka pasur vështirësi në rezultate dhe lojën e shfaqur. Fitoret me përmbysje ndaj Lecce dhe Como i dhanë njëfarë stabiliteti, por Gimenez ndjen ende presionin dhe peshën e fanellës. Për një të ri, në eksperiencën e parë në Itali, mund të ndodhë”.



Read it all at Bota Sot