Bavarezët në emergjencë të plotë kundër Interit

- Bota Sot

Bavarezët në emergjencë të plotë kundër Interit

Në shtëpinë e Bayern Munich, situata po bëhet edhe më e vështirë përpara ndeshjeve çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Interit.

Pas lëndimeve të Alphonso Davies dhe Dayot Upamecano, edhe Hiroki Ito ka hequr dorë nga loja, pasi pësoi një frakturë në “metatars”, duke e komplikuar më tej planin e Kompany.

Pas një periudhe të gjatë pushimi dhe rehabilitimi, japonezi hyri në fushë në minutën e 58-të në vend të Guerreiro, gjatë ndeshjes së Bundesliga kundër St.Pauli, të cilën bavarezët e fituan 3-2, por më pas u detyrua të largohej për shkak të dhimbjeve që kishte në këmbën e djathtë, si pasojë e rikthimit të një lëndimi të mëparshëm.

“Pas lëndimeve të rënda të Alphonso Davies dhe Dayot Upamecano, Hiroki është mbrojtësi i tretë që lëndohet brenda një periudhe të shkurtër kohore, – shpjegoi drejtori sportiv i klubit gjerman, Max Eberl. – Tani duhet t’i shtrydhim më shumë energjitë për t’i arritur qëllimet tona. Lajmi për një lëndim tjetër të rëndë të Hiroki na godet të gjithëve shumë fort.

Ai sapo kishte filluar të kthehej pas muajsh rehabilitimi dhe tani do të jetë sërish jashtë për një periudhë të gjatë. Mezi mund ta imagjinojmë se si ndjehet. Ai do të marrë gjithë mbështetjen e nevojshme nga ana jonë. Është një luftëtar dhe mezi presim ta shohim përsëri në fushë. Mbaje kokën lart, Hiroki! FC Bayern është me ty”.

Deklaratat e Eberl përjashtojnë qartë Ito nga lista e lojtarëve të disponueshëm për ndeshjen kundër Interit në Ligën e Kampionëve dhe i zvogëlojnë në minimum opsionet e Kompany për mbrojtjen. Ito ishte alternativa kryesore për çiftin e mbrojtësve qendrorë të titullarëve, që përbëhen nga ish-lojtari i Napolit, Kim Min-jae, i cili sapo është kthyer nga një lëndim, dhe ish-lojtari i Tottenham, Eric Dier.

Sidoqoftë, nuk mbaron me kaq. Para dy ndeshjeve çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Interit, kampi bavarez gjithashtu duhet të përballet me ndalimin e Neuer. Portieri veteran është ndaluar për një problem në pulpën e këmbës, pas ndeshjes kundër Stuttgart, ndërkohë që vazhdon mungesa e mesfushorit Aleksandar Pavlovic (i lindur më 2004) për shkak të mononukleozës dhe gjendja e paqëndrueshme e Kingsley Coman.



Read it all at Bota Sot