Conte: Trajneri është termometri i ekipit në futboll

- Bota Sot

Conte: Trajneri është termometri i ekipit në futboll

Në një intervistë për “L’Equipe”, kryepankina e Napolit, Antonio Conte, foli mbi rolin e trajnerit dhe titullin e fituar me Juventusin pa asnjë humbje, një arritje që mund ta përsërisë edhe PSG, që këtë fundjavë mund të shpallet kampion i Francës:

"Të mos humbasësh asnjë ndeshje gjatë sezonit është e paimagjinueshme. Në fakt, nuk është diçka që e planifikon. Atë vit me Juventusin shkuam edhe në finalen e Kupës së Italisë, ku humbëm ndaj Napolit, e vetmja humbje e sezonit për ne".

Conte e rikujton atë rrugëtim të jashtëzakonshëm: "Ajo që më interesonte mua, nga momenti kur u gjendëm në krye të renditjes, ishte të luftonim për titullin dhe të shqetësonim sa më shumë Milanin, që ishte kampioni në fuqi dhe kishte një skuadër shumë më të fortë se e jona. Ata ishin favoritë, me lojtarë si Ibrahimovic, Thiago Silva, Gattuso, Nesta, Robinho…

Objektivi ishte të qëndronim mes tre më të mirëve, por në fazën e fundit të sezonit ishim pikërisht pas kuqezinjve (Juve ishte -4 pikë nga kreu, mbas javës së 29-të të Serie A). Në atë moment, objektivi u bë fitimi i titullit. Nuk kishim shumë hapësirë për gabime, ishim jashtëzakonisht të motivuar dhe kështu arritëm të mos humbisnim".

Sa iu përket vështirësive për PSG-në në përsëritjen e kësaj arritjeje: "PSG, ndryshe nga ne në atë kohë, luan në Champions League. Ky është një kompeticion tjetër që të konsumon energji. Sapo ta fitojnë titullin në Francë, logjikisht mendimet e lojtarëve do të fokusohen te Champions-i.

Është e pashmangshme që të hyjnë në lojë objektiva të tjerë, sepse për lojtarët gjëja më e rëndësishme është të fitojnë trofe. Të mbetesh i pamposhtur është diçka e bukur, mbetet në histori, por mbi të gjitha janë trofetë që kanë rëndësi".

Së fundi, për rolin e trajnerit: "Trajneri nuk duhet të jetë i qetë. Ai është ‘termometri’ i ekipit, duhet të ndiejë çdo rënie tensioni, çdo rënie motivimi, duhet të dijë si t’i zgjojë të gjithë dhe të mbajë përqendrimin. Sidoqoftë, mendoj se Luis Enrique nuk ka nevojë për këshillat e mia".



Read it all at Bota Sot