Ministria ruse e Mbrojtjes tha të shtunën se Ukraina kishte shtuar sulmet e saj ndaj infrastrukturës energjetike ruse, duke goditur objektivat 14 herë në 24 orët e fundit, pavarësisht një moratoriumi të ndërmjetësuar nga ShBA-ja, një akuzë që ushtria ukrainase e quajti “të rreme” dhe “dezinformim”.
Në një deklaratë të publikuar në Telegram, ministria tha se Ukraina “shumëfishoi numrin e sulmeve të njëanshme duke përdorur dronë dhe predha artilerie në infrastrukturën energjetike të rajoneve ruse”.
Në njoftim thuhet se sulmet kishin shkaktuar dëme në rajonet e Rusisë Bryansk, Belgorod, Smolensk, Lipetsk dhe Voronezh, si dhe në rajonet ukrainase të Luhansk dhe Kherson, pjesë të të cilave Rusia kontrollon.
Reuters nuk ishte në gjendje të verifikonte raportet për sulmet. Në deklaratën e saj në Telegram, ushtria e Ukrainës tha se raportimet ishin të rreme dhe se forcat e saj po goditnin vetëm objektiva ushtarakë.
Ushtria e Ukrainës ka thënë më parë se ka ndaluar sulmet ndaj objekteve energjetike ruse më 18 mars.
Rusia dhe Ukraina ranë dakord muajin e kaluar për një propozim të SHBA-së për një moratorium 30-ditor për të goditur infrastrukturën energjetike të njëra-tjetrës. Që atëherë të dyja palët kanë akuzuar vazhdimisht njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes, shkruan Reuters.