Thomas Muller në verë do të largohet nga Bayern dhe pritet të transferohet në MLS (ShBA), por ende ka një shans që të hedhë një firmë të fundit.
Plani i drejtuesve të klubit është që sulmuesi të luajë në Botërorin e Klubeve nga data 5 qershor deri më datë 13 korrik. Duke qenë se kontrata e tij skadon në qershor, Bayern do të rinovojë kontratën me dy javë të tjera.
Kështu, Muller mund të luajë deri në finalen e turneut, nëse Bayern shkon deri në fund. Pra, do të ketë një mini-kontratë.
“Vendimi nuk ka lidhje aspak me financat e klubit.
As aspekti sportiv nuk ishte gjëja më e rëndësishme. Ne folëm me Thomas dhe agjentin e tij që në nëntor. E kemi bërë këtë me të gjithë lojtarët, kontratat e të cilëve skadonin në verë. Folëm hapur. Agjentët e tij na thanë se do të flisnim sërish në shkurt, kur Thomas të merrte një vendim”, u shpreh drejtori sportiv, Max Eberl.
“Në janar, pastaj, Thomas bëri ato deklarata. Mbase nuk isha i zgjuar sa duhej. Që kur foli publikisht, gjërat ndryshuan. Në një moment të caktuar, bordi vendosi të mos rinovojë me të. Biseduam me të gjithë drejtuesit, sepse Thomas nuk është lojtar i zakonshëm, por legjendë e klubit”.
“Largimi i tij është një gjë shumë prekëse për mua, padiskutim. Vendimi për të, megjithatë, ishte unanim. E dimë se askush nuk do të na dhurojë duartrokitje për këtë vendim”, përfundoi ai.