Mbrojtja e afërt e Radoiçiqit godet për vdekje një grua

- Bota Sot

Mbrojtja e afërt e Radoiçiqit godet për vdekje një grua

Gruaja që kishte marrë lëndime të rëndë në një aksident komunikacioni më 21 mars në rrugën nga Brus - Kopaonik, ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike të Beogradit pas 17 ditësh trajtim intensiv.

Aksidenti ishte shkaktuar nga një veturë që i përkiste kolonës së sigurimit të kriminelit, Milan Radoiçiq.

Sipas raportimeve të revistës beogradas ‘Radar’, në aksidentin e rëndë ishte përfshirë një çift i moshuar – prindërit e njërit prej zyrtarëve të lartë të policisë së Beogradit – të cilët udhëtonin me një veturë “Lada”. Në veturën e tyre u përplas një limuzinë “Skoda”, që ishte duke bërë një parakalim të rrezikshëm, pjesë e kolonës së automjeteve që e shoqëronin Radoiçiqin.

Siç raporton ‘Radar’, parakalimi fatal filloi nga një veturë “Jeep” me targa të huaja, që më pas u ndoq nga “Skoda”, në të cilën ndodheshin dy anëtarë të sigurimit të Radoiçiqit.

Pas përplasjes së rëndë, dy pasagjerët nga “Skoda” nuk pësuan lëndime, ndërsa çifti i moshuar u dërgua me urgjencë në spital në gjendje të rëndë. Fillimisht, mjekët vlerësuan se burri ishte në rrezik për jetën, ndërkohë që gjendja e gruas u përkeqësua më vonë, duke çuar në vdekjen e saj më 8 prill.

Edhe pse bëhet fjalë për një aksident të rëndë me pasoja fatale, sipas portalit “Radar” deri më sot asnjë institucion shtetëror, përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Prokurorinë në Serbi, nuk ka dalë me një njoftim zyrtar për rastin. Po ashtu, asnjë nga mediat proqeveritare në Serbi nuk ka raportuar për aksidentin.

"Radar" është një e përjavshme serioze në Beograd, ish-redaksia e revistës NIN, e cila për shkak të presionit të Vuçiqit krijoi një të përjavshme të re. Vuk Cvijic, autori i tekstit për vdekjen e gruas e cila u godit nga mbrojtja e afërt e Radoiçiqit, është një nga gazetarët më të mirë investigativë në Serbi.



Read it all at Bota Sot