Portieri dhe kapiteni aktual i Barcelonës, Marc-André ter Stegen, ka dhënë deklarata të diskutueshme për Lionel Messin, sulmuesin aktual të Inter Miami, në një intervistë për podcastin Phrasenmäher, nga gazeta gjermane “Bild”, përcjellë KosovaPress.
Së bashku, Ter Stegen dhe Messi bënë histori te Barcelona, duke qenë pjesë e një prej gjeneratave më të suksesshme të klubit. Megjithatë, sipas portierit, atmosfera në dhomën e zhveshjes nuk ka qenë gjithmonë më e mira.
“Ai është ndoshta i vetmi lojtar që mund të të hedhë një top në fytyrë nëse dëshiron. Ai e ka atë aftësi. Të tjerët do të shkelmonin diku tjetër, ai mund të godiste fytyrën. Ai e ka bërë këtë disa herë. Nga erdhi ky zemërim? Ju duhet ta pyesni atë. Nëse dëshiron të të bëjë të ndihesh keq, aimundet”, ka thënë Ter Stegen.
Pavarësisht deklaratave të forta, Stegen vlerësoi ish-bashkëlojtarin e tij dhe theksoi se, pavarësisht disa mosmarrëveshjeve ndër vite, ka pasur gjithmonë respekt të ndërsjellë.
“Leo nuk është shumë llafazan, ai punon shumë me praninë e tij dhe ka nevojë të thotë relativisht pak. Dhe kur ai thotë diçka, të gjithë dëgjojnë. Dhe kjo është ajo që vërtet dëshiron të arrish si kapiten, të dëgjohesh dhe të ndiqesh”, thotë ai.
Lionel Messi ndërtoi një karrierë historike te Barcelona, klubi ku iu bashkua kur ishte 13 vjeç. Në 778 ndeshje, ai shënoi 672 gola dhe dha 292 asistime, shifra që e vendosin atë si golashënuesin më të mirë të klubit dhe lider në asistime në histori. Ai fitoi 35 tituj, duke përfshirë 10 kampionate spanjolle - një rekord mes lojtarëve të huaj - dhe fitoi 6 Topa të Artë.