Romët rikthejnë zërin e tyre në zemër të Evropës

- Bota Sot

Romët rikthejnë zërin e tyre në zemër të Evropës

Në zemër të Bashkimit Evropian, Brukseli dhe Strasburgu janë bërë sërish qendra të diskutimeve, rezistencës dhe propozimeve për një Evropë më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse, në kuadër të Javës Rome 2025.

E organizuar nga organizatat e shoqërisë civile, institucionet evropiane dhe partnerë ndërkombëtarë, Java Rome këtë vit ka një fokus të posaçëm: rikthimin e vëmendjes politike ndaj çështjeve të romëve në një Evropë që po ndryshon. Në mungesë të eurodeputetëve me prejardhje rome në Parlamentin e ri Evropian, ky edicion bëhet një platformë jetike për të forcuar zërin politik, për të artikuluar sfidat dhe për të propozuar zgjidhje.

Përfaqësimi politik rom nuk është vetëm çështje numrash, por një nevojë urgjente për drejtësi dhe barazi. Gjatë javës, diskutimet në panelet e organizuara në ndërtesat e Parlamentit Evropian në Bruksel dhe në Këshillin e Evropës në Strasburg, kanë theksuar rëndësinë e fuqizimit të lidershipit rom, veçanërisht të grave dhe të rinjve romë. Java Rome synon të ndërtojë ura për përfshirje aktive të komunitetit rom në jetën politike, duke thyer tabu.

Anticiganizmi: një plagë që kërkon drejtësi

Një nga temat më të ndjeshme që ka mbizotëruar në Javën Rome është anticiganizmi – forma e qëndrueshme e racizmit që godet romët në të gjithë Evropën. Në sesione të veçanta janë prezantuar studime, dokumentarë si "Jekhipe” dhe iniciativa për drejtësi tranzicionale, duke kërkuar njohjen e krimeve historike ndaj romëve, përfshirë Holokaustin, si dhe ndërtimin e një narrative të përbashkët përmes edukimit dhe historisë së mësuar në shkolla.

Gabriela Hrabanova, Drejtoreshë e ERGO Network, deklaron: "Java Rome nuk është vetëm një ngjarje simbolike – ajo është një mjet politik dhe shoqëror që na lejon të sjellim në qendër të debatit evropian realitetin e përditshëm të romëve, sintive dhe udhëtarëve. Në vitin 2025, kur Parlamenti Evropian nuk ka asnjë eurodeputet me prejardhje rome, rëndësia e kësaj jave është edhe më e madhe. Ne nuk mund të lejojmë që komunitetet tona të bëhen të padukshme në momentin kur diskutohet për të ardhmen e Evropës.”

Ajo shton: "Këtë vit, Java Rome po vendos një theks të fortë mbi nevojën për përfaqësim politik, edukim gjithëpërfshirës, drejtësi historike dhe përmirësim të kushteve socio-ekonomike. Ne duhet të punojmë më ngushtë me institucionet evropiane për të siguruar që politikat nuk mbeten në letër, por reflektojnë realisht nevojat dhe aspiratat e romëve. Si organizata që përfaqëson zërin e komuniteteve nga terreni, ERGO do të vazhdojë të jetë një urë ndërmjet qytetarëve romë dhe vendimmarrësve evropianë dhe së fundi me theks të veçntë ata të Ukrainës.”

"Kjo javë është një thirrje për veprim, për solidaritet, dhe për përgjegjësi. Është koha që Evropa të dëgjojë më shumë nga komunitetet që për dekada kanë qenë margjinalizuar. Dhe ne jemi këtu – të fortë, të organizuar dhe të vendosur – për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët me dinjitet dhe barazi.”

Përfshirja arsimore, digjitale dhe rinore

Në një botë gjithnjë e më të digjitalizuar, përjashtimi i komuniteteve rome nga teknologjia përbën një formë të re të margjinalizimit. Roma Week 2025 i kushton një vëmendje të veçantë arsimimit gjithëpërfshirës dhe përfshirjes digjitale. Përmes paneleve dhe demonstrimeve praktike, theksohet se pa qasje në internet, pa pajisje dhe aftësi digjitale, rinia rome mbetet jashtë tregut të punës dhe sistemit arsimor modern.

Mihai Oancea, President i TernYpe – European Roma Youth Network, deklaron: "Java Rome është një moment kyç për ne, të rinjtë romë, që të mos jemi thjesht të pranishëm, por të jemi bashkë-ndërtues të së ardhmes sonë evropiane. Në një Evropë që shpesh flet për diversitetin, por rrallë e përfaqëson atë realisht, ne jemi këtu për të kërkuar jo vetëm hapësirë, por vendimmarrje." "Si rrjet i të rinjve romë në Evropë, TernYpe i ka qëndruar gjithmonë besnik bindjes që rinia është çelësi për ndryshim. Dhe sot, më shumë se kurrë, është koha që institucionet evropiane jo vetëm të dëgjojnë, por të bashkëpunojnë me ne, të ndërtojnë politika me ne, e jo për ne." "Përballë mungesës së përfaqësimit politik dhe rritjes së ekstremizmit në Evropë, Java Rome nuk është një ngjarje për protokoll. Është një akt rezistence, një platformë për të thënë se të rinjtë romë nuk presin më – ata po ndërtojnë. Nga edukimi, te drejtësia, nga kultura, te teknologjia – ne jemi aty. Dhe është koha që edhe Europa të jetë me ne, jo pas nesh."

Java Rome 2025 nuk është thjesht një kalendar ngjarjesh, por një reflektim i fuqishëm i një komuniteti që kërkon të mos harrohet, të dëgjohet dhe të bashkëvendosë. Në një Evropë që ndodhet përballë rritjes së ekstremizmit dhe polarizimit, kjo javë është kujtesë që romët kanë qenë gjithmonë pjesë e historisë dhe së ardhmes së kontinentit – jo vetëm në art dhe kulturë, por edhe në formësimin e një Evrope më të barabartë./DW

Solidaritet ndërmjet pakicave të margjinalizuara

Një nga dimensionet më të reja të kësaj jave është lidhja e saj me Javën e Antiracizmit të BE-së, duke theksuar nevojën për një qasje interseksionale ndaj racizmit. Romët, afro-evropianët, migrantët dhe komunitetet e tjera të racializuara përballen me forma të ndërlikuara diskriminimi. Java Rome përpiqet të krijojë aleanca mes këtyre komuniteteve për një front të përbashkët ndaj racizmit institucional dhe përjashtimit social.

Përfshirja reale nuk mund të ndodhë pa mjete të duhura financiare. Aktivitetet e kësaj jave kanë adresuar gjithashtu nevojën për përgjegjësi në përdorimin e fondeve evropiane për përfshirjen e romëve. Përmes iniciativave si Roma Civil Monitoring, kërkohet transparencë dhe vlerësim i ndikimit real të projekteve që synojnë integrimin.



Read it all at Bota Sot