Legjenda Erik Kantona pretendon se Mançester Junajtid ka humbur shpirtin e tij, pasi regjistroi të gjithë familjen si aksionerë në klubin rebel FC Junajtid. Legjenda franceze ishte përsëri në qytet gjatë fundjavës dhe ndoqi derbin zhgënjyes pa gola kundër Sitit.
Por ai gjithashtu shprehu ndjenjat e tij duke pranuar të bëhet bashkëpronar i FC Junajtid të Mançesterit, ndërsa bleu aksione për katër fëmijët dhe dy vëllezërit e tij.
Kantona lëshoi një tjetër sulm ndaj bashkëpronarit të ri Xhim Ratklif për disa nga vendimet që ai ka marrë që kur hyri në klub në fillim të vitit të kaluar. Ai pretendon se pronari i “Ineos” dhe ekipi i tij po përpiqen të “shkatërrojnë gjithçka” dhe kritikon vendimin për të larguar klubin nga “Old Trafford”.
Cantona, 58 vjeç, tha: “Unë mbështes Junajtidin sepse e dua vërtet atë, por tani, nëse do isha një tifoz dhe do të duhej të zgjidhja një klub, nuk mendoj se do të zgjidhja Junajtid. “Për mua, është shumë e rëndësishme të respektojmë këta njerëz, ashtu siç respektojmë menaxherin dhe shokët e skuadrës. Mendoj se që kur erdhi Ratklif, është e kundërta e plotë dhe ky ekip drejtuesish përpiqet të shkatërrojë gjithçka dhe nuk respekton askënd.
Ata madje duan të ndryshojnë stadiumin. Shpirti i skuadrës dhe i klubit nuk është te lojtarët. Të gjithë njerëzit rreth janë si një familje e madhe. Unë nuk ndihem afër këtyre lloj vendimesh. Ata kanë një strategji tjetër, një projekt tjetër. A ndiheni afër këtij projekti? Nuk mendoj se po”. Kantona, i cili kaloi pesë vite të shkëlqyera në “Old Trafford”, thotë se tani klubi është pothuajse i panjohur nga ai që njihte.
“Kujtoj një dhomë zhveshjeje me lojtarët dhe Sër Aleks Fergusonin, të gjithë këta njerëz që nuk i njihni, që na ndihmuan të ndihemi si në shtëpinë tonë dhe të jemi një familje. Mendoj se është shumë e rëndësishme të respektojmë këta njerëz, ashtu siç respektojmë menaxherin dhe shokët e skuadrës. Që kur erdhi Ratklif, është e kundërta e plotë. Ai nuk e do më Fergusonin si ambasador. Ai është më shumë se një legjendë dhe mendoj se duhet ta gjejmë këtë shpirt përsëri.
STADIUMI- Muajin e kaluar, u zbulua se Junajtid ka hartuar plane për një “New Trafford” me vlerë 2 miliardë paund, nën hijen e Teatrit të ëndrrave. Shpresa është që ai mund të jetë gati për më pak se pesë vjet, por Cantona nuk është i impresionuar nga propozimet. “Stadiumi është ikonik. Për mua, Arsenal humbi shpirtin e tij kur lanë “Highbury” dhe jam i sigurt që shumë tifozë i mungon.
Është si kur hyn në një shtëpi dhe ndjen një energji speciale. A mund ta imagjinoni Liverpulin që luan në një stadium tjetër përveç Anfilld? Është e pamundur. Nuk mendoj se Junajtid mund të luajë në një stadium tjetër përveç “Old Trafford”.
Por mendoj se ndoshta ne jemi ëndërrimtarë dhe ata janë më shumë si një ekonomi dhe një strategji. Unë e urrej këtë lloj gjëje. Unë e urrej këtë lloj vendimi”, tha ndër të tjera ish-lojtari dhe legjenda e Mançester Junajtidit, Erik Kantona.