Një tjetër yll i Liverpool-it është gati të zgjatë qëndrimin në “Anfield”.
Sipas gazetarit të njohur të merkatos, Fabrizio Romano, kapiteni Virgil van Dijk do të nënshkruajë shumë shpejt kontratën e re me klubin, e cila do të jetë e vlefshme deri në qershor të vitit 2027.
Marrëveshja mes palëve është përfunduar tashmë, me të gjitha detajet e kontratës të miratuara edhe nga avokatët. Holandezi pritet të vendosë firmën e tij përpara përfundimit të këtij sezoni, duke i dhënë fund çdo spekulimi për të ardhmen e tij.
Ky rinovim do t’i shtojë edhe dy vite të tjera qëndrimit të Van Dijk te Liverpool-i, ku ai ka qenë shtyllë kryesore e mbrojtjes që prej transferimit nga Southampton në janar të vitit 2018.
Lajmi vjen menjëherë pas konfirmimit të zgjatjes së kontratës së Mohamed Salah, duke i dhënë fund një faze pasigurie për dy nga figurat më të rëndësishme të epokës moderne të klubit.