Kupa e Botës për Klube e FIFA-s, e cila këtë herë do të zhvillohet për herë të parë me 32 skuadra nga 14 qershori deri më 13 korrik në Shtetet e Bashkuara, po gjeneron lëvizje të papritura në treg.
Me fillimin e periudhës së transferimeve për në ditët e para të qershorit, disa klube tashmë kanë filluar të punojnë për të përforcuar skuadrat e tyre për turneun e madh veror.
Një prej tyre është Borussia Dortmund, që po kërkon të forcojë mbrojtjen me një fytyrë shumë të njohur: Mats Hummels.
Mbrojtësi gjerman, i cili së fundmi njoftoi tërheqjen nga futbolli pas përfundimit të aventurës së tij te Roma, mund të ndryshojë mendje.
Klubi nga Bundesliga ka kontaktuar me të me synimin për ta bindur që të veshë edhe një herë fanellën e verdhë për një muaj tjetër.
Hummels, i cili i dha fund karrierës së tij pas një sezoni të pasigurt në Itali, raportohet se po e konsideron pranimin e kësaj oferte si një mbyllje të denjë të karrierës së tij.
Në moshën 36-vjeçare, qendërmbrojtësi ka një përvojë të gjatë te Dortmund, duke luajtur mbi 500 ndeshje përgjatë dymbëdhjetë viteve e gjysmë.
Rikthimi i tij i mundshëm jo vetëm që ka vlerë sentimentale, por edhe përmbush një nevojë të skuadrës, për shkak të dobësive në mbrojtje.
Duke qenë pjesë e Grupit F në Kupën e Botës për Klube, së bashku me Fluminense, Ulsan HD dhe Mamelodi Sundoëns, skuadra gjermane e sheh Hummels si një pjesë kyçe për të garuar me siguri. Ndoshta, historia nuk ka përfunduar ende.