Kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu, u paraqit të premten para gjykatës për një akuzë të re që lidhet me kërcënimin e një prokurori publik, ndërsa mijëra mbështetës të tij janë mblidhur jashtë gjykatës për të shprehur solidaritetin.
Imamoglu, i cili është mbajtur në burgun Silviri që nga arrestimi i tij më 23 mars, përballet me akuza për korrupsion dhe tani i shtohet një akuzë tjetër. Gjyqi i tij është shtyrë për më 16 qershor.
Gjatë seancës, Imamoglu tha se po gjykohej sepse kishte fituar tri herë kundër atij që “mendon se zotëron Stambollin”, një aludim ndaj Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, i cili dikur ka qenë kryebashkiak i Stambollit.
Pjesëmarrës në seancë ishin familjarët e Imamoglu, si dhe mbështetës nga Partia Popullore Republikane (CHP), mediat dhe aktivistët.
Akuza të tjera ndaj Imamoglu lidhen me dy hetime, një për korrupsion dhe një për lidhje me terrorizmin, pas një marrëveshjeje me politikanët pro-kurdë në prag të zgjedhjeve. Arrestimi i tij ka nxitur protesta dhe demonstrata, duke shkaktuar arrestimin e rreth 2,000 personave për pjesëmarrje në tubime të ndaluara.
Imamoglu është gjithashtu kandidati i Partisë Popullore Republikane (CHP) për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028, por arrestimi i tij shihet si një manovër politike për të penguar rrugën e tij drejt presidencës.
Autoritetet turke, megjithatë, vazhdojnë të këmbëngulin se gjyqësori është i pavarur nga ndikimet politike.