Serie A ka hyrë në fazën përfundimtare, me vetëm shtatë ndeshje për t’u zhvilluar, trajneri i Juventus, Igor Tudor, ka apeluar për përqendrim te secila ndeshje, duke theksuar se skuadra duhet të fokusohet në detyrat e tanishme dhe jo në llogaritjet për kualifikimin në Champions League.
Aktualisht, Juventus ndodhet në vendin e pestë në renditje, një pozitë që mund të jetë e mjaftueshme për kualifikim, varësisht nga renditja e Italisë në UEFA.
Megjithatë, me vetëm gjashtë pikë që ndajnë vendin e tretë nga të tetin, Tudor ka theksuar se është e rëndësishme që ekipi të mos shpërqendrohet nga spekulimet për pozitat dhe kualifikimin.
“Për mua nuk ndryshon asgjë. Ata që bëjnë llogaritje, gazetarët dhe tifozët, është e drejtë të argëtohen me to, është diçka interesante”, ka thënë Tudor në konferencën për shtyp përpara përballjes së së shtunës me Lecce.
“Nesër është një tjetër betejë. Ne do të mundohemi t’i bëjmë gjërat siç duhet në aspektin taktik, dhe pastaj përqendrohemi te stërvitja e radhës. Nuk ka mënyrë tjetër. Llogaritjet nuk të japin asgjë, vetëm të shpërqendrojnë.”
Trajneri kroat, i cili e ka marrë drejtimin e Juventus muajin e kaluar, ka arritur të sigurojë një fitore ndaj Genoa dhe një barazim ndaj Romës që nga ardhja e tij.
Megjithatë, ai nuk është i përqendruar te ajo që mund të kishte ndodhur po të kishte ardhur më herët. “Nuk i kam bërë vetes asnjë pyetje. Nuk shikoj në të kaluarën”, ka theksuar ai. “E kaluara dhe e ardhmja vlejnë pak. Jam i lumtur sepse gjeta djem me dëshirë për t’u përmirësuar , ky ka qenë fati im. Reagimi i tyre më ka surprizuar për mirë”.