Luis Enrique: Nuk ka vend për vetëkënaqësi përballë Aston Villa

- Bota Sot

Luis Enrique: Nuk ka vend për vetëkënaqësi përballë Aston Villa

Në prag të ndeshjes vendimtare të kthimit ndaj Aston Villa në çerekfinalen e Champions League, trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, ka kërkuar përqendrim maksimal nga lojtarët e tij, duke theksuar se epërsia prej dy golash nga takimi i parë nuk garanton asgjë.

PSG ka fituar me rezultat 3-1 në ndeshjen e parë, duke e vendosur veten në një pozitë të favorshme para përballjes së së martës në “Villa Park”. Megjithatë, Enrique ka qenë i qartë, duke theksuar se asgjë nuk është e përfunduar. 

“Rruga drejt Ligës së Kampionëve është e mbushur me favoritë që janë eliminuar. Sigurisht që ishim më të mirë në ndeshjen e parë dhe e merituam fitoren, por ajo tashmë është pjesë e së kaluarës. Tani fillon një histori e re”, ka deklaruar ai në konferencën për shtyp para ndeshjes.

Trajneri spanjoll ka theksuar se PSG nuk duhet të bëjë llogari dhe se skuadra duhet të jetë gati për çdo skenar që mund ta sjellë Aston Villa në fushë. “Avantazhi prej dy golash nuk duhet të na bëjë të ndihemi të sigurt. Nëse Aston Villa shënon ose fiton, ne duhet të tregojmë në këtë ndeshje se kemi nivelin e duhur për të arritur në gjysmëfinale”, është shprehur tekniku spanjoll. 

Në një sezon ku PSG tashmë ka fituar titullin e katërt radhazi në Ligue 1 dhe ka siguruar vendin në finalen e Kupës së Francës, skuadra po ndjek ëndrrën e saj të madhe: triumfin në Champions League dhe realizimin e tripletës.

Pavarësisht suksesit, Enrique e ka vlerësuar qetësinë dhe maturinë e treguar nga një skuadër relativisht e re në moshë.

“Nga pesimizmi në fillim të sezonit kemi kaluar në një atmosferë entuziazmi. Por çelësi është që lojtarët kanë ditur të përqendrohen vetëm te loja dhe të injorojnë zhurmën e jashtme. Sepse asgjë nuk ka përfunduar ende, ndeshja pritet të jetë e vështirë dhe ne duhet të jemi gati të vuajmë për ta arritur fitoren”, ka thënë ai. 

Ai gjithashtu ka folur për atmosferën e pritur në stadiumin e Aston Villa. “Villa Park është një stadium që ofron sfidë të madhe. Por për ne, nuk është problem, është motivim. Ne luajmë me dëshirë si në shtëpi, ashtu edhe jashtë. Qëllimi ynë është i qartë: të jemi konkurrues dhe të fitojmë”, ka thënë ai. 



Read it all at Bota Sot