Kombëtarja U19 nis punën me trajnerin Albert Bunjaku

- Bota Sot

Kombëtarja U19 nis punën me trajnerin Albert Bunjaku

Kombëtarja e Kosovës U19 e ka nisur zyrtarisht punën nën drejtimin e përzgjedhësit të ri, Albert Bunjaku. Të martën, në Kampin Nacional në Hajvali, ka filluar grumbullimi treditor me futbollistë që luajnë në kampionatin vendor, ku përzgjedhësi Bunjaku së bashku me ndihmësit e tij, Anel Rashkaj, Besim Ademi dhe Labinot Qosa, do të punojnë për të vëzhguar dhe vlerësuar potencialin e kësaj gjenerate.

Përzgjedhësi Bunjaku, i emëruar në këtë pozitë nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, në fillim të këtij viti, theksoi se dëshira e tij ka qenë që grumbullimin e parë ta zhvillojë ekskluzivisht me lojtarë nga futbolli vendor.

“Stërvitja e parë ka qenë shumë e mirë dhe më ka pëlqyer shumë. Intensiteti ka qenë në maksimum. Ka lojtarë me shumë kualitet. I thashë edhe futbollistëve që kemi pasur mundësinë ta zhvillojmë këtë kamp edhe me lojtarë nga diaspora, por dëshira ime ishte që kampin e parë ta mbajmë me ata që luajnë në Kosovë, sepse nuk i kam njohur ende. Ndryshe është kur i sheh nga afër në fushë.

Në këto tri ditë do të mundohemi t’i vëzhgojmë sa më mirë për të parë kush mund të na ndihmojë në të ardhmen. Besoj se kemi disa futbollistë shumë interesantë”, ka theksuar Bunjaku.

Futbollistët Rin Ahmeti nga FC Prishtina dhe Omer Bajraktari nga FC Llapi, të cilët janë pjesë e këtij grumbullimi ndanë përshtypjet e tyre për stërvitjen e parë dhe punën me trajnerin Bunjaku.

“Stërvitja ishte shumë e mirë me trajnerin Albert Bunjaku. Është hera e parë që ftohem në Kombëtaren U19, pasi më parë kam qenë pjesë e U17. Besoj se me punë dhe angazhim do të arrij të jem pjesë e Kombëtares edhe për ndeshjet kualifikuese”, tha Rin Ahmeti.

“Atmosfera është shumë e mirë. Me disa lojtarë njihemi më herët. Stërvitja ka qenë me intensitet të lartë dhe gjithçka ka shkuar në rregull. Stafi na ka pritur shumë mirë, trajneri Albert Bunjaku ka qenë shumë korrekt. Ai na tha se Kombëtarja U19 i ka përgjegjësitë pak më të mëdha por besoj se me kohë, me dëshirën e madhe, angazhim, disiplinë dhe konsistencë do t’i arrijmë objektivat”, tha Omer Bajraktari.

Kampi treditor do të vazhdojë deri të mërkurën dhe shërben si fazë e parë e selektimit për sfidat e ardhshme të Kombëtares U19.



Read it all at Bota Sot