Liga e Kampionëve do t’i sjellë dy ndeshje mjaft interesante dhe dramatike sonte.
Gara më prestigjioze e futbollit evropian po hyn në fazën e saj finale, ndërsa sonte do të kompletohet edhe gjysmëfinalja e saj.
Mbrëmë, nga një biletë për në këtë fazë e prenë Barcelona dhe Paris Saint-Germaini, ndërsa tash do të mësohen edhe dy emrat tjerë që do ta kompletojnë gjysmëfinalen.
Pa dyshim, krejt sytë dhe vëmendja sonte do të jenë të kthyer kah Spanja, ku Real Madridi do ta presë Arsenalin.
“Topçinjtë” e kanë marrë rrugën drejt Madridit me një kapital solid prej tre golash.
Mirëpo, ata i pret “ferri” sonte në “Santiago Bernabeun” me çati të mbyllur.
“Los Blancos” e kanë në mendjen e tyre “Remontadan”, ndonëse duket një mision jashtëzakonisht i vështirë.
Ata humbën 0:3 në “Emirates Stadium” javën e kaluar dhe tash trupa e Carlo Ancelottit duhet ta bëjë paraqitjen e jetës për t’i përmbysur “Gunners”.
Tifozët madrilenë janë entuziastë dhe besojnë se Vinicius e Mbappe me shokë mund ta bëjnë të pamundurën të mundur.
Nga ana tjetër, Mikel Arteta është munduar ta ndërtojë një ekip konkurrues për këtë ndeshje, duke u munduar t’i dënojë vendësit me kundërsulme me një gol që do të ishte “vrastar” për kampionët aktualë evropianë.
Në duelin tjetër të natës, Interi do ta kërkojë konfirmimin e kualifikimit në gjysmëfinale pasi krijoi epërsi në lojën e parë.
“Nerazzurri” e mposhtën Bayern Munichun në Gjermani javën e kaluar dhe tash e kanë për qëllim ta ruajnë këtë avantazh.
Kurse, bavarezët me një kerr mungesa do ta kërkojnë mrekullinë në Itali, ndonëse me pak gjasa për ta bërë përmbysjen e madhe.
Dy ndeshjet e sontme të Ligës së Kampionëve do të nisin prej orës 21:00.