Nuk ka vend për shumë eksperimente në ndeshjen Inter - Bayern

- Bota Sot

Nuk ka vend për shumë eksperimente në ndeshjen Inter - Bayern

Nuk ka vend për shumë eksperimente në ndeshjen Inter - Bayern Mynih.

Simone Inzagi do të zbresë në fushën e lojës me futbollistët më të mirë që ka në dispozicion, pavarësisht se 5 prej tyre rrezikojnë që të humbasin sfidën gjysmëfinale (në rast kualifikimi) për shkak të kartonëve.

Kështu Zomer do të ketë përpara tij treshen Pavar, Açerbi dhe Bastoni. Në mesfushë Çalhanoglu dhe Barela bashkë me Mkitarianin janë të paprekshëm, ndërsa në të djathtë rikthehet Darmian, pasi nuk mori shumë minuta me Kaljarin.

Dilema e vetme e trajnerit Inzagi lidhet me Karlos Auguston. Braziliani është duke kaluar një moment pozitiv dhe në Mynih ishte një nga më të mirët në fushën e lojës. Dimarko është rikuperuar plotësisht, por nuk ka shumë minuta në këmbë. Ndërkohë që në repartin e avancuar do të jetë dyshja Lautaro-Turam.

Në krahasim me ndeshjen e kaluar Bajernit do t’i rikthehen vetëm 2 futbollistë nga lista e gjatë e dëmtimeve. Manuel Nojer nuk ia ka dalë që të jetë gati, ndërsa Pavloviç dhe Koman janë ata që mund të japin kontribut për duelin e mbrëmjes së sotme.

Megjithatë, asnjëri nuk pritet që ta nisë nga minuta e parë. I vetmi ndryshim në krahasim me sfidën e parë është Tomas Myler nga fillimi pas shpinës së Herri Kejnit.

Trajneri Kompani nuk e ka luksin që ta lërë në stol për këtë sfidë.

Kjo gjë ka sjellë spostimin e Guerreiros në krahun e majtë të mbrojtjes, aty ku është roli i tij natyral. Ndërkohë që pjesa tjetër e formacionit nuk do të ndryshojë dhe Kompani pret thjesht që të kenë korrigjuar diçka nga sfida e parë në Mynih ku humbën disa duele vendimtare.



Read it all at Bota Sot