Tre persona të lënduar si pasojë e sulmeve ruse me dronë në Odesa

- Bota Sot

Tre persona të lënduar si pasojë e sulmeve ruse me dronë në Odesa

Rusia ka vazhduar sulmet në Ukrainë. Të paktën tre persona janë lënduar në qytetin bregdetar të Odesës në Detin e Zi nga një sulm me dron. Sulmi ka shkaktuar zjarr në një numër objektesh banesore dhe ka shkaktuar dëme të tjera në infrastrukturë, si dhe në bizneset përreth.

Të martën, këtë qytet e ka vizituar sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, bashkë me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Rutte ka shprehur përkrahjen e tij për përpjekjet e presidentit amerikan Donald Trump për paqen në Ukrainë, pavarësisht, siç ka thënë, sfidave të bisedimeve me Ukrainën dhe Rusinë.

Rutte ka shtuar se edhe anëtarë të tjerë të Aleancës, përfshirë përpjekjet e Francës dhe Britanisë, kanë dëshirë dhe janë të gatshëm të marrin më shumë përgjegjësi në ndihmën për arritjen e paqes, atëherë kur të vijë koha.

Ndërsa presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka treguar se garancionet për sigurinë në Detin e Zi, veçanërisht çështja e prezencës së forcave ushtarake, për momentin po diskutohet në Turqi në kuadër të Koalicionit të Vullnetit. Zelensky ka thënë gjithashtu se Rusia nuk ka pajtueshmëri me iniciativën e SHBA-së për armëpushim të pakushtëzuar. Zelensky ka folur edhe për bisedimet për marrëveshjen e mineraleve me SHBA-të. Ai ka thënë se bisedimet kanë vazhduar dhe ishin pozitive, dhe se ato do të vazhdojnë në nivele të ndryshme.



Read it all at Bota Sot