Dëshmi tronditëse në gjyqin për vdekjen e legjendës

- Bota Sot

Dëshmi tronditëse në gjyqin për vdekjen e legjendës

Gjyqi për vdekjen e legjendës së futbollit, Diego Armando Maradona, ka hyrë në një fazë të re emocionale dhe të rëndë pas një dëshmie të fuqishme nga vajza e tij, Dalma Maradona.

Shtatë punonjës shëndetësorë janë nën akuzë për neglizhencë mjekësore në lidhje me vdekjen e ikonës argjentinase, por deklarata e Dalmas ka ndezur edhe më tej debatin publik mbi trajtimin që iu bë ish-futbollistit në ditët e fundit të jetës së tij.

Në një dëshmi të dhënë të martën, Dalma përshkroi gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhej Maradona.

“Dhoma ku ishte babai im ishte e neveritshme: kundërmonte era urinë, asnjë qenie njerëzore nuk duhej të ishte në një vend të tillë, aq më pak babai im në ato kushte shëndetësore”, u shpreh Dalma.

Ajo akuzoi ekipin mjekësor për mashtrim dhe manipulim emocional:

“Na premtuan një shtrim në shtëpi që nuk ndodhi kurrë. Na bënë të besojmë në diçka që nuk ekzistonte. Ne u mashtruam në mënyrën më mizore, vetëm për të mbështetur atë gënjeshtër.”

Procesi gjyqësor do të vazhdojë në javët e ardhshme, ndërsa ende nuk është e qartë se si do të përfundojë çështja, transmeton topchannel.

Megjithatë, dëshmia prekëse dhe e drejtpërdrejtë e vajzës së Maradonës ka hedhur edhe më shumë hije mbi mënyrën si u trajtua legjenda e futbollit në momentet e tij më të vështira.



Read it all at Bota Sot