Presidenti dhe administratori i deleguar i Interit, Giuseppe Marotta, ka folur për “Sky Sport”, duke prekur disa tema:
"Gjysmëfinalja është një burim krenarie e madhe për ne, për klubin dhe qytetin, por mbi të gjitha për skuadrën dhe trajnerin. Ky nuk është fundi i rrugëtimit, jemi ende në garë në tri kompeticione".
Si mund të vlerësohet ky sezon?
Pavarësisht nga rezultati përfundimtar, do të jetë një sezon pozitiv. Po i japim vazhdimësi ciklit që nisi me Inzaghin dhe jemi protagonistë në Europë si kurrë më parë, ashtu edhe në Itali.
A është e mundur të zgjedhet një objektiv në këtë moment?
Ne jemi Interi, me histori dhe ‘palmares’ të mbushur me suksese. Jemi në një moment vendimtar, ndeshja e së dielës ndaj Bologna do të jetë më e rëndësishmja e vitit, ku do të luajmë një pjesë të kampionatit. Duhet të mësohemi gjithnjë e më shumë të luajmë çdo tri ditë.
A është Bologna një “stacion”, që mund të thotë shumë?
Ka ende shumë pikë në dispozicion, por do të jetë një ndeshje vendimtare për ne, pasi do të përballemi me njërën prej skuadrave më në formë të Serie A. Ndeshja e mesjavës ndaj Bayern Munich u luajt me shumë sakrificë, por roli na detyron ta tejkalojmë vetveten. Bologna është një skuadër me vlera.
A është kjo, një nga skuadrat e Interit më të bukura për t’u parë në historinë e klubit zikaltër?
Unë e konsideroj Inzaghin një trajner të ri, që ka shumë cilësi dhe gjithmonë synon fitoren. Kjo e vendos atë në një rol të rëndësishëm, është i aftë taktikisht dhe di ta menaxhojë grupin. Simone ka krijuar një mentalitet të madh, edhe nga humbjet kanë ardhur mundësi për rritje.
Si po shkon rinovimi i Inzaghit?
Ka ende një vit kontratë, por është e drejtë të mos shkojmë deri në përfundimin e saj. Do të ulemi të flasim me qetësi për ta zgjatur. Besoj se do të jetë një takim i shpejtë dhe i këndshëm, ku do të gjejmë marrëveshjen e duhur.
Lautaro Martinez po përmirësohet gjithmonë. Sa i rëndësishëm ishte rinovimi që bëtë me të?
Kemi firmosur, përveç kontratës, edhe një raport të madh përkatësie mes lojtarit dhe klubit. Është kapiteni ynë, është rritur edhe si njeri. Është lideri ynë, pa harruar të tjerët. Ka pësuar një rritje të dukshme.
Çfarë do të përfaqësonte për ju fitorja e Ligës së Kampionëve?
Fitorja e Ligës së Kampionëve është e vetmja gjë që më mungon. E konsideroj një ëndërr, por duke qenë se ëndrrat shpesh realizohen, duhet të besojmë. Nuk jemi inferiorë ndaj Barcelonës.