Taksat e SHBA kërcënojnë të ardhurat në Kupën e Botës për Klube

- Bota Sot

Taksat e SHBA kërcënojnë të ardhurat në Kupën e Botës për Klube

Politikat e reja fiskale të Donald Trump në SHBA mund të rrezikojnë planet e Gianni Infantinos dhe FIFA-s për edicionin e parë të ri të Kupës së Botës për Klube.

Sipas asaj që shkruan The Guardian, FIFA po përballet me negociata të vështira me autoritetet amerikane pasi nuk ka arritur të sigurojë përjashtime nga taksat për 32 klubet pjesëmarrëse.

FIFA kishte shpallur në mars një fond të madh shpërblimesh për turneun, me vlerë 1 miliard dollarë (rreth 754 milionë paund britanik), ku deri në 125.8 milionë dollarë do t’i shkonin klubit fitues. Por pa marrëveshje tatimore, klubet mund të detyrohen të paguajnë dhjetëra miliona dollarë në taksa në SHBA – përveç atyre që duhet të paguajnë në vendet e tyre.

Në rastin e Kupës së Botës 2026, e cila gjithashtu do të mbahet në SHBA, FIFA ka arritur të sigurojë përjashtime nga një sërë taksash si ato komunale, shtetërore dhe mbi shitjen e biletave. Por për Kupën e Botës për Klube, e cila është planifikuar me më pak kohë paraprake, nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për të arritur një marrëveshje të ngjashme.

FIFA po insiston për një zgjidhje që të sigurojë trajtim të drejtë për të gjithë pjesëmarrësit dhe është e bindur se mund ta arrijë një gjë të tillë, duke qenë se muajt e fundit ka bërë përpjekje të mëdha për të afruar pozicionet me autoritetet amerikane.

Jo rastësisht, Gianni Infantino është takuar dy herë në mars me presidentin Donald Trump në Zyrën Ovale, duke i prezantuar atij edhe trofeun e ri të Kupës së Botës për Klube.



Read it all at Bota Sot