Shqipëria po bëhet gati të presë turneun final të Kampionatit Europian U-17 2025, që do të zhvillohet nga 19 maji deri më 1 qershor. Shqipëria, Italia, Franca, Gjermania, Çekia, Portugalia, Belgjika dhe Anglia janë 8 ekipet finaliste që do të zbresin në fushë në katër stadiumet shqiptare: “Arena Kombëtare”, “Niko Dovana”, “Arena Egnatia” dhe “Elbasan Arena”.
Në kuadër të fushatës promovuese për këtë event, FSHF organizoi një aktivitet në shkollën “Emin Duraku” në Tiranë, për të njohur nxënësit me rëndësinë që ka ky turne për vendin tonë dhe futbollin shqiptar.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Pano Xhixho, si edhe ambasadori i turneut, Klaus Gjasula, të cilët ftuan nxënësit të mbështesin Shqipërinë nga shkallët e stadiumeve.
Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Klaus Gjasula tha se ky kampionat është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. “Ju e dini sa i rëndësishëm është ky kampionat për ne.
Do të mbështesim çunat tanë, që t’i tregojmë botës se kush jemi ne shqiptarët, talentin, krenarinë dhe fuqinë tonë.
T’i tregojmë botës që ne do të mbështesim njëri-tjetrin. Duhet të punojmë bashkë, të kemi besim dhe uroj të vini të gjithë në stadium” tha Klaus Gjasula.