Kylian Mbappé nuk është eliminuar vetëm nga Liga e Kampionëve – tani ai ka dalë edhe nga Ligue 2.
Ylli i Real Madridit u ‘përjashtua ‘nga Arsenali në fazën çerekfinale të Ligës së Kampionëve, ndërsa ekipi i SM Caen, të cilin e zotëron pjesërisht, ka rënë zyrtarisht nga ligat profesioniste të Francës.
Të premten në mbrëmje, Caen u mposht 3-0 në shtëpi nga Martigues, duke e bërë rënien në National 1 (liga e tretë gjysmë-profesioniste) një fakt të konfirmuar.
Është hera e parë që skuadra nga Normandia bie nga dy ligat kryesore franceze që nga viti 1984, dhe këtë fat e konfirmuan me tre ndeshje të mbetura.
Me mbrojtjen më të dobët në ligë, Caen fitoi vetëm pesë ndeshje gjatë gjithë sezonit – dhe rënia ishte e merituar.
Sipas tifozëve, edhe bashkëpronarët – përfshirë Mbappén – mbajnë një pjesë të fajit.
Pas përfundimit të ndeshjes, ultrasit shpalosën një pankartë ku shkruhej: “Drejtues, lojtarë: të gjithë fajtorë, të gjithë jashtë.”
Një tjetër pankartë lexonte: “Malherbe jemi ne, *** jeni ju”, duke iu referuar emrit të plotë të klubit, Stade Malherbe Caen.
Nuk është hera e parë që tifozët fajësojnë Mbappén për rënien e ekipit, që kur kompania e familjes së tij, “Interconnected Ventures”, bleu 80% të aksioneve në shtator të vitit 2024.
Afati kalimtar veror ishte një kaos i vërtetë – i kritikuar nga agjentë dhe lojtarë, përfshirë kapitenin Romain Thomas.
“Ka qenë hera e parë që kam përjetuar një përgatitje të tillë para-sezoni,” tha ai përpara ndeshjes hapëse të kampionatit. “Çdo ditë kishte një atmosferë të rëndë në zhveshtore. Asnjë lojtar nuk ndjehej i sigurt për të ardhmen e tij. Në një moment, secili mendonte vetëm për veten.”
Rezultatet e dobëta ishin pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj gjendjeje dhe, sapo rënia u bë e mundshme, tifozët e humbën durimin me pronarin e tyre të munguar.
Shumë pankarta u shfaqën para dhe pas Vitit të Ri, me mesazhe të qarta si: “Mbappé, SMC nuk është lodra jote” dhe “Para se të duash të shkëlqesh ndërkombëtarisht, respekto figurat vendore.”
Gjerat u bënë edhe më të çuditshme në janar, kur presidenti i emëruar nga familja Mbappé, Ziad Hammoud, deklaroi se “projekti do të fillojë në sezonin 2025/26” – që tashmë do të jetë në ligën e tretë.
Vetëm në shkurt, Mbappé më në fund e vizitoi klubin pas një het-triku ndaj Manchester Cityt në Ligën e Kampionëve. Por në Caen u prit me pankarta që kërkonin dorëheqje dhe përçmim, si: “Hammoud, jep dorëheqjen. Ku jeni??” dhe “Fayza [Lamari, nëna dhe agjentja e Mbappé], ‘rednecks’ janë në m*t të madh.”
Madje as lojtarët nuk i kursyen fjalët. Kapiteni dhe golashënuesi më i mirë i ekipit, Alexandre Mendy, aludoi për menaxhim të dobët përpara fundit të sezonit:
“Kjo është pasqyra e sezonit tonë,” tha ai pas humbjes 4-2 ndaj Paris FC në fillim të prillit.
“Flas në emër të vetes, por kur e nis një sezon me energji të gabuar – të gjithë e dinë çfarë ndodhi gjatë merkatos për disa lojtarë – kjo është pamja që merr gjithçka sot.
Do të luftojmë deri në fund, por në fund të fundit, korret ajo që mbillet.”