Real Madrid, Barcelona dhe Manchester City në garë të fortë për yllin e Italisë

- Bota Sot

Real Madrid, Barcelona dhe Manchester City në garë të fortë për yllin e Italisë

Emri i Sandro Tonalit po trazon sërish merkaton dhe këtë herë për italianin interesohen tre nga klubet gjigante të Europës, si Real Madrid, Manchester City dhe Barcelona.

Tonali jo vetëm që ka demonstruar karakter dhe personalitet në Premier League, por ka shfaqur edhe një pjekuri taktike që e bën atë një aset të vlefshëm për çdo klub të nivelit të lartë.

Edhe pse Newcastle është tejet i kënaqur me italianin dhe nuk e ka në plan largimin e tij, burime të ndryshme në Angli thonë se është vetë dëshira e 24-vjeçarit për t’u larguar nga “Qymyrxhinjtë” dhe për të provuar një aventurë të re.

Në këtë situatë, Newcastle pritet të lejojë largimin e mesfushorit italian, por për një shifër jo më pak se 80 milionë euro.

Interesi i Real Madridit vjen nga nevoja për të rinovuar mesfushën pas largimit të Toni Kroos, i cili ka lënë një boshllëk ta pazëvendësueshëm dhe rolit gjithnjë e më dytësor të Modric, i cili mund të largohet në fund të këtij sezoni.

Ndërkohë, Barcelona e Hansi Flick, beson se ardhja e Tonalit do t’i jepte skuadrës një nivel qëndrueshmërie në një repart ku mbizotërojnë të rinjtë, por përvoja është ende e pakët.

Në rastin e City-t, largimi De Bruyne në fund të sezonit krijon një boshllëk të vështirë për t’u mbushur, dhe italiani është një nga emrat që më së shumti e tërheq Guardiolën për shkak të profilit dhe cilësive që i ka demonstruar edhe në Premier League.



Read it all at Bota Sot