Me një bluzë të kuqe dhe syze të po së njëjtës ngjyrë, Yekaterina Barabash u fotografua duke dërguar puthje nga pas një xhami antiplumb kur doli në bankën e të akuzuarve në një gjykatë të Moskës.
Kritikja e njohur e filmave u dënua me dy muaj arrest shtëpiak për gjoja përhapje të “gënjeshtrave” për luftën e ushtrisë ruse në Ukrainë.
Tani, autoritetet ruse kanë lëshuar një urdhërkërkim për të, dhe ajo përballet me deri në 10 vjet burgim pasi autoritetet zbuluan se 63-vjeçarja nuk ndodhej në shtëpi gjatë një kontrolli më 13 prill.
Më 21 prill, agjencia e burgjeve në Rusi lëshoi një deklaratë ku thuhej se ajo nuk ishte në shtëpi kur ata e vizituan disa ditë më parë. Pas kësaj, një gjykatë në Moskë ndryshoi masën e dënimit, që do të thotë se ajo tani përballet me burgim.
Miqtë e Barabashit të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë refuzuan të komentonin mbi zhdukjen e saj, për shkak të frikës për sigurinë e saj.
Barabash ka qenë herë pas here e ftuar në programet e Shërbimit Rus të Radios Evropa e Lirë për disa vite dhe shpesh ka kritikuar kontrollin gjithnjë e më autoritar të Kremlinit mbi shoqërinë ruse.
Kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022, ajo e dënoi atë menjëherë. Forcat ruse “kanë bombarduar vendin, kanë rrafshuar qytete të tëra,” shkroi ajo disa javë pas fillimit të konfliktit.
Fjalë të tilla sfidonin në mënyrë të drejtpërdrejtë narrativën e Kremlinit, që ndaloi përdorimin e fjalës “luftë” dhe mohoi që civilët ishin në shënjestër të sulmeve, pavarësisht provave që sinjalizonin të kundërtën.
Menjëherë pas fillimit të pushtimit, Rusia miratoi legjislacion të ri që parasheh dënime me burg për “diskreditim” të forcave të armatosura. Ligji është përdorur për të burgosur qindra njerëz që nga fillimi i luftës dhe ka bërë që shumë të tjerë të heshtin.
Në një rast të fundit, një grua 19-vjeçare në Shën Petersburg mori një dënim me pothuajse 3 vjet burg për vendosjen e një vargu të shkurtër poetik në një statujë të një poeti ukrainas.
I njëjti ligj çoi në arrestimin e Barabashit në shkurt të vitit 2025. Në gjykatë, prokurorët thanë se ajo kishte shpërndarë “informacione të rreme me qëllim të qartë mbi aktivitetet e ushtrisë ruse” në rrjetet sociale.
Pas dhënies së dënimit, ajo doli nga gjykata duke deklaruar se “të paktën do të kem dy muaj liri”, duke sugjeruar ndoshta se ajo priste një dënim me burgim në të ardhmen.
Duke përshkruar momentin e arrestimit të saj, ajo tha se ishte “befasues”.
“Bie zile dhe [pret] një person të mirë, hap derën dhe aty janë burra me maska”, kishte thënë ajo.
Rasti i saj nxiti një valë mbështetjeje nga figura të njohura kulturore.
Shkrimtarja Anna Berseneva shkroi se “miliona njerëz të ndershëm mendojnë njësoj si Yekaterina Barabash.” Kritiku Andrei Plakhov tha se ajo është “një person i ndershëm, parimor – një faktor serioz rreziku në këtë kohë.”
Regjisori Vitalii Mansky vuri në dukje se shumë kritikë të Kremlinit kishin zgjedhur heshtjen përballë luftës, duke preferuar “emigrimin e brendshëm,” por se Barabash kishte “më shumë integritet.”
Në fillim të këtij muaji, Barabash u shpall “agjente e huaj” nga Ministria ruse e Drejtësisë.
Një kritike tjetër e profilit të lartë të luftës, gazetarja Marina Ovsyannikova, iku nga Rusia ndërsa ndodhej në arrest shtëpie në tetor të vitit 2022./REL