Vendi i katërt që garanton “biletën e fundit” për Ligën e Kampioneve nëpërmjet kampionatit gjerman është pesë pikë larg për Dortmundin.
Megjithatë, Niko Kovaç dhe lojtarët e tij do të bëjnë gjithçka për të arritur këtë objektiv.
Edhe pse katër ndeshjet e mbetura nuk ofrojnë shanse të mëdha. Sot në 15:30, verdhezinjtë do t’i bëjnë vizitë Hofenhaimit, që më tetë pikë larg zonës së rënies është thuajse i shpëtuar dhe ka pak për t’i kërkuar pjesë së mbetur të sezonit. Sidoqoftë, pikët në vallë do të ndihmonin secilin nga ekipet.
Në konferencë për shtyp, trajneri i Dortmundit, deklaroi: “Po ia dalim shumë mirë për momentin me qasjen e ndeshjeve, por le ta tregojmë duke fituar ndeshjen tjetër. Ekipi po shtyn fort.
Kur shikon se çfarë jemi të aftë të bëjmë fizikisht dhe gjithashtu në aspektin futbollistik, mund të thuhet se kemi pasur disa momente shumë, shumë të mira.
Matematika na mban në lojë për vendin e katërt dhe ne do ta ndjekim deri në fund. Kemi besim dhe nuk do të dorëzohemi”.