Pas eliminimit nga Kupa e Italisë, që ka lënë disa pasoja, çfarë duhet të bëjë tani Interi? Kjo ishte pyetja drejtuar Arrigo Sacchit në intervistën për “Gazzetta dello Sport”. Përgjigja e tij ishte e qartë: “Të bëjë atë që ka bërë klubi zikaltër.
Të japë sinjalin se besimi ndaj trajnerit dhe lojtarëve është i pandryshuar. Në fakt kjo lëvizje e drejtuesve nuk më çudit, sepse presidenti zikaltër është Beppe Marotta. Jemi miq prej një jete, e di mirë si mendon ai”.
Tripleta ka ikur, por tani mbetet mundësia për të fituar “dopietën”. “Interi i ka të gjitha mundësitë, – garanton Sacchi. – Ka një grup lojtarësh me nivel të lartë, teknikisht të zotë dhe me shumë përvojë.
Mbetet vetëm të rikuperojnë pak energjitë fizike dhe mendore, që mund t’i kenë humbur gjatë rrugës për shkak të shumë angazhimeve që kanë pasur. Sidoqoftë, forca e Interit nuk vihet në dyshim.
Pyesni ata të Barcelonës nëse janë të qetë që do të përballen me Interin. Unë jam i bindur që Barça dhe trajneri i tyre nuk janë aspak të qetë”.
Pastaj, me një shije ironie, Sacchi shton: “Po nëse Interi fiton vërtet kampionatin dhe Ligën e Kampionëve, ose edhe vetëm njërën prej tyre, Simone Inzaghi do të kthehet të jetë një fenomen apo do të vazhdojë të kritikohet?”
Një thumbim ndaj kritikave të ashpra që kanë goditur trajnerin zikaltër pas humbjes 3-0 kundër Milanit në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë.