Dilemat e Flick për formacionin

- Bota Sot

Dilemat e Flick për formacionin

Fjala kyçe në prag të ndeshjes së parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve mes Barcelonës dhe Interit është “tensioni”.

Jo për shkak të ndërprerjes së përgjithshme të energjisë që goditi Spanjën, çka solli në kujtesë raste të bujshme si ai i vitit 2010 me vullkanin islandez, që paralizoi fluturimet në gjysmën e Europës, por sepse (pavarësisht gjendjeve shpirtërore të ndryshme, pas angazhimeve të fundit kombëtare) katalanasit, ashtu edhe zikaltërit, vijnë në përballjen e Montjuic me frymën pezull, mes lodhjes së lojtarëve dhe shpresave për rikuperime nga dëmtimet.

Nëse Interi dhe Simone Inzaghi do të bëjnë gjithçka për të pasur sërish në dispozicion Marcus Thuram në sulm dhe Denzel Dumfries nga minuta e parë në krah, edhe lojtarët e Barcelonës nuk do të kenë shumë kohë për ta shijuar fitimin e Kupës së Mbretit kundër Real Madridit.

Koha shtesë në betejën e Seville ka lënë gjurmë edhe për Hansi Flick, ndaj dilemat e tij për formacionin nuk mungojnë, sidomos për shkak të mungesës së sigurt të Lewandowskit. Shtatë lojtarë të Barcelonës kanë luajtur mbi 100 minuta në atë finale, përfshirë Raphinha dhe Pedri, për të përmendur dy prej tyre. Përballë Interit do të nevojitet versioni më i mirë i katalanasve.

Në mesfushë, Pedri dhe de Jong pritet të kenë sërish në dorë çelësat e lojës së Barcelonës, me Gavin si alternativën e parë nga stoli. Dilema kryesore për Flick qëndron në rolin pas sulmuesit. Fermin dhe Dani Olmo po garojnë për një vend titullari pas Ferran Torres.

Në sulm, pavarësisht gjendjes fizike dhe kohës së rikuperimit, do të luajnë Raphinha në të majtë dhe Lamine Yamal në të djathtë, me Ferran të konfirmuar si zëvendësuesi i Lewandowskit për shkak të aftësisë së tij për të bashkëpunuar ngushtë me shokët e skuadrës dhe sulmuar hapësirat. Edhe pse përfunduan të rraskapitur ndeshjen ndaj Realit, trajneri Flick e di që nuk ka zgjidhje tjetër për treshen sulmuese, ndaj do të kërkojë një përpjekje shtesë nga yjet e tij.

Trajneri gjerman, që është ende në garë për të gjitha objektivat sezonale, do të duhet të gjejë ekuilibrin e duhur për ndeshjen e parë kundër Interit, duke balancuar lodhjen me domosdoshmërinë për të përfituar maksimalisht nga faktori fushë në një duel që zgjat të paktën 180 minuta. Për këtë arsye, me një grup të kufizuar nga dëmtimet dhe lodhja, rreziku i lëndimeve duhet të limitohet në maksimum.



Read it all at Bota Sot