Arsenali po hedh sërish sytë nga një objektiv i vjetër për të përforcuar repartin ofensiv.
Sipas raportimeve nga Anglia, skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta është e vendosur të tentojë transferimin e Christopher Nkunku-s, lojtar i Chelsea-t që nuk ka arritur të tregojë vlerat e tij në “Stamford Bridge” ashtu siç pritej.
Nkunku, 27 vjeç, u transferua te Chelsea si një nga blerjet më të bujshme, por dëmtimet dhe forma e dobët e përgjithshme e skuadrës e kanë penguar të shkëlqejë.
Sipas TeamTalk, megjithëse “blutë” e Londrës e kishin vlerësuar largimin e tij me rreth 60 milionë euro, mungesa e aktivizimit dhe ndikimit në fushë mund ta bëjë klubin të hapur për negociata me një çmim shumë më të ulët.
Nga “Emirates Stadium”, ky situatë shihet si një mundësi tregu që nuk duhet humbur. Në të kaluarën, Arsenal kishte shfaqur interes për francezin, por kërkesat e larta financiare të Chelsea-t kishin bllokuar çdo përparim në bisedime.
Tani, konteksti është krejtësisht ndryshe: lojtari ka nevojë për një ambient të ri për të ringjallur karrierën, dhe “topçinjtë” mund t’i ofrojnë pikërisht këtë — një projekt sportiv në rritje dhe një rol më të rëndësishëm në skuadër.
Ky operacion paraqet një mundësi të vlefshme për të gjitha palët: Arsenal do të fitonte një profil ofensiv me kreativitet dhe fleksibilitet, derisa Chelsea do të reduktonte barrën e pagave dhe do të hapte hapësira për përforcime të tjera.
Ndërsa vetë Nkunku do të kishte një shans për të rifituar ritmin dhe statusin që kishte në Bundesliga.
Gjithçka tregon se kjo do të jetë një nga lëvizjet për t’u ndjekur me kujdes në merkaton e verës.