Milani gjatë kësaj vere duhet të mendohet mirë për të zgjidhur shumë situata të paqarta kontraktuale të lojtarëve që ka në përbërje, me rinovime që duhen vendosur që në ditët e para pas këtij sezoni.
Por një prej tyre shqetëson në mënyrë të veçantë kuqezinjtë, pasi bëhet fjalë për një futbollist i cili nuk ka më leje të stërvitet në qendrën e ekipit, por ndërkohë përfiton 4 milionë euro rrogë në vit.
Bëhet fjalë për sulmuesin belg Divok Origi, i cili ishte një nga dështimet më të bujshme të merkatos së klubit italian. I afruar me bujë nga Liverpuli, dëmtimet dhe mungesa e formës bënë që lojtari të dilte jashtë planeve të kuqezinjve, në këtë sezon, atij iu bë e qartë se nuk kishte më vend për të në klub.
Origit iu dha mundësia që të luante me Milan Futuro, skuadrën e U23, por ai e refuzoi.
Ndaj që atëherë atij iu hoq aksesi në qendrën stërvitore të Milanit dhe futbollisti është stërvitur në mënyrë individuale në Firence.
Por gjatë kësaj kohe, ai ka përfituar rregullisht rrogën e tij prej 4 milionë eurosh neto në sezon, duke mbetur një barrë financiare për klubin.
Kontrata e tij mbaron në verën e vitit 2026, ndaj gjatë kësaj vere, kuqezinjtë duhet t’i gjejnë një sistemim atij për të shmangur barrën e rëndë financiare, që shkon në 5,2 milionë euro bruto në bilanc për një tjetër sezon.