Lajme të mira nga infermieria për Tiranën.
Bardheblutë në sfidën me Pogradecin do të kenë në dispozicion dyshen Dembele-Ndreca.
Si njëri dhe tjetri do të jenë gati deri të dielën. Po kështu, edhe Ismajli është gati për të luajtur pak minuta në lojën ndaj liqenorëve.
Për t’u parë është gjendja e Ermal Metës, i cili në ndeshjen me Dinamon ishte në stol, por nuk luajti.
Bardhebluve do t’u mungojnë disa lojtarë në këtë sfidë, duke filluar nga Ernest, Abah, Prengaj. Të tre në repartin e sulmit. Të tre e kanë mbyllur sezonin dhe nëse qëndrojnë, do të jenë në fushë vetëm sezonin e ardhshëm.
Tirana, pas fitores me Dinamon, ka pasur luksin që të jetë pushim 24 orë. Shkëmbi ka lejuar që bardheblutë të relaksohen pak para sfidës, që ata do të zhvillojnë ditën e diel ndaj Pogradecit.