Interi dhe Milani pranojnë fajin për të ulur dënimin

- Bota Sot

Interi dhe Milani pranojnë fajin për të ulur dënimin

Milani dhe Interi kanë pranuar lidhjet e tyre me grupet e tifozerive të organizuara, mes të cilëve kishte pjesëtarë të familjeve mafioze që organizonin aktivitete të paligjshme dhe siguronin përfitime nga ndeshjet e të dy skuadrave dhe favoret që u garantonin ato.

Ky është përfundimi i prokurorisë së Milanos e tashmë ky është edhe përfundimi i Komisioneve Disiplinore të Federatës Italiane.

“Gazzetta Dello Sport” bën të ditur se të dy klubet, larg syve të publikut janë takuar shpesh me hetuesit e Federatës dhe kanë gjetur akordin, duke pranuar fajin, për të zbutur dënimet e tyre.

Kësisoj, pritet vetëm lajmërimi zyrtar për dënimet që janë dhënë tashmë për klubet, ashtu si edhe personat që kanë qenë në kontakte të vazhdueshme duke pranuar kërkesa të ultrasve duke thyer rregulloret përkatëse të Federatës që ndalon kontakte dhe akorde të veçanta me persona që kanë lidhje me grupe mafioze.

Dënimet e dhëna, të zbutura nga pranimi i klubeve në fjalë, parashikojnë një javë pezullim për Hakan Çalhanollu dhe Simone Inzagi, të cilët nuk do të jenë të pranishëm në ndeshjen e të shtunës ndaj Veronës. Interi ndëshkohet me 70 mijë euro gjobë, ndërsa Milani me 30 mijë euro.

30 mijë euro për Çalhanollu, 15 mijë euro për Inzagin ndërsa 14500 euro për Havier Zanetin. Ndërkohe, ka gjoba edhe për tre persona të tjerë të strukturave të të dy klubeve të cilët janë funksionarë që kanë lidhje me tifozerinë dhe sigurinë.

Nën hetim ishte edhe Davide Kalabria, por ai nuk ka pranuar paktin dhe do të dëshmojë para gjykatës disiplinore. Ndërsa Xhuzepe Marota është shpallur i pafajshëm, pasi para se të takohej me ultrasit, ka vepruar sipas rregullores duke njoftuar autoritetet e federatës, si dhe policinë italiane.

Dënimi më i rëndë u dha për Çalhanollu pikërisht për faktin se kishte takuar ultrasit-mafiozë në mënyrë private, edhe pse klubi i kishte kërkuar shprehimisht të mos e bënte një gjë të tillë.



Read it all at Bota Sot