Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e refuzoi armëpushimin treditor të shpallur nga udhëheqësi rus, Vladimir Putin, duke e quajtur atë një shfaqje teatrale, por theksoi se Kievi është i gatshëm për një armëpushim të plotë.
Rusia deri tani ka refuzuar një armëpushim të pakushtëzuar 30-ditor, të propozuar nga Kievi dhe Uashingtoni, i cili po përpiqet të ndërmjetësojë dhënien fund të pushtimit trevjeçar rus të Ukrainës.
“Kjo është më shumë një shfaqje teatrale nga ana e tij. Sepse në dy apo tre ditë është e pamundur të hartohet një plan për hapat e ardhshëm për t’i dhënë fund luftës”, tha Zelensky.
Zelensy i bëri këto deklarata të premten për një grup të vogël gazetarësh, deklarata që ishin nën embargo deri të shtunën.
Zelensky tha se Ukraina nuk do të “luajë lojëra për të krijuar një atmosferë të këndshme që t’i mundësojë Putinit të dalë nga izolimi më 9 maj”, kur disa udhëheqës të huaj pritet të shkojnë në Moskë për të marrë pjesë në ngjarjet kushtuar fitores së Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë Naziste më 1945.
Propozimi i Rusisë shihet në Ukrainë si një përpjekje për të penguar Kievin të godasë Moskën gjatë festës, e cila përfshin një paradë madhështore ushtarake në Sheshin e Kuq të Moskës dhe një fjalim të udhëheqësit rus drejtuar kombit.
Ukraina ka goditur Moskën disa herë gjatë pushtimit, si dhe ka shënjestruar objektiva të tjera në mbarë territorin rus.
Sipas Kremlinit, udhëheqës të rreth 20 vendeve, përfshirë presidentin kinez, Xi Jinping, dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë pranuar ftesën për të marrë pjesë në kremtimin e këtij viti.
Zelensky tha se disa vende i janë drejtuar Kievit duke paralajmëruar se do të udhëtojnë drejt Rusisë dhe kanë kërkuar garanci për sigurinë e tyre.
“Qëndrimi ynë është shumë i thjeshtë ndaj të gjitha vendeve që kanë udhëtuar apo do të udhëtojnë në Rusi më 9 maj, ne nuk mund të marrim përgjegjësi për atë që ndodh në territorin e Federatës Ruse”, u përgjigj ai.
“Ata po kujdesen për sigurinë tuaj”, shtoi Zelensky, duke paralajmëruar se Rusia “mund të ndërmarrë hapa të ndryshëm nga ana e saj, si zjarrvënie, shpërthime e të tjera, dhe më pas të na fajësojë neve”.
Zyrtarët rusë kanë premtuar festime madhështore për 9 maj, gjatë të cilave pritet që Putin të kërkojë mbështetje për trupat e tij që luftojnë në Ukrainë që nga viti 2022, kur nisi pushtimi në shkallë të gjerë të Ukrainës.
Trupat ruse kanë bërë përparime në disa pjesë të vijës së frontit, ndërkohë që Moska dhe Kievi kanë intensifikuar sulmet ajrore.
Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se mund të heqin dorë nga përpjekjet për të ndërmjetësuar një armëpushim nëse nuk shohin përparim konkret.
Uashingtoni po synon “një armëpushim të plotë dhe të qëndrueshëm, si dhe përfundimin e konfliktit”, dhe jo thjesht “një moment treditor” deklaroi këtë javë zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Tammy Bruce./REL